POLITIKATË FUNDIT

Të rinjtë shqiptarë bashkohen në Parlamentin e Shqipërisë, miratojnë Rezolutë të përbashkët

Të rinj nga të gjitha trevat shqiptare janë bërë bashkë në Parlamentin e Shqipërisë, në kuadër të forumit “Foli Shqip”, një aktivitet që vuri në qendër identitetin kombëtar, atdhedashurinë dhe bashkëpunimin ndërmjet brezave të rinj shqiptarë. Takimi u përmbyll me miratimin e një rezolute të përbashkët, përmes së cilës pjesëmarrësit shprehën angazhimin për forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes të rinjve nga trevat shqiptare.

Në një seancë ndryshe nga ato të zakonshmet, ambientet e Parlamentit të Shqipërisë u shndërruan të shtunën në një hapësirë diskutimi për të rinjtë shqiptarë, të cilët ndanë ide dhe vizione për të ardhmen e përbashkët.

Forumi “Foli Shqip”, nismë e Këshillit Kombëtar të Rinisë, u organizua me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjve të Kosovës dhe tri universitete shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Aktiviteti synoi të forcojë dialogun ndërmjet të rinjve dhe institucioneve, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave, ideve dhe nismave që lidhen me ruajtjen e identitetit kombëtar dhe perspektivën e brezit të ri.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua rolit të rinisë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve, pavarësisht kufijve shtetërorë, si dhe nevojës për angazhim më të madh institucional në mbështetje të iniciativave rinore.

Pika kulmore e forumit ishte miratimi i një Rezolute të përbashkët, përmes së cilës të rinjtë shprehën vullnetin që përkatësia kombëtare të mos mbetet vetëm në nivelin e deklarimeve simbolike, por të shndërrohet në angazhim konkret dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

Forumi u vlerësua si një dëshmi e rëndësisë së dialogut ndërmjet institucioneve dhe brezit të ri, si dhe e potencialit që kanë të rinjtë për të kontribuar në forcimin e lidhjeve kulturore, arsimore dhe kombëtare.

Mesazhi kryesor i takimit ishte se bashkëpunimi ndërmjet të rinjve shqiptarë duhet të jetë një proces i vazhdueshëm, i mbështetur nga institucionet dhe i orientuar drejt projekteve konkrete që i shërbejnë zhvillimit dhe së ardhmes së përbashkët.

Takimi ishte nën kryesimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bledi Gonxhja, si dhe i pranishëm ishte ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha. (koha.mk)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *