POLITIKATË FUNDIT

Sulmi fizik në Skenderaj, Gërvalla kërkon dënimin e autorëve dhe ngre alarmin: Rrezikohet integriteti i zgjedhjeve!

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër pas sulmit fizik të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut ndaj Zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, duke e cilësuar ngjarjen si një akt kriminal dhe të papranueshëm.

Në reagimin e saj në Facebook, Gërvalla tha se ky sulm përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të shtetit dhe procesit zgjedhor në Kosovë, duke shtuar se dhuna dhe frikësimi nuk kanë vend në një republikë demokratike.

Ajo ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, duke theksuar se autorët e këtij akti duhet të përballen pa vonesë me ligjin, përcjell “Bota sot”.

Gërvalla ka shtuar se metoda të tilla të dhunshme janë “primitive” dhe i përkasin, siç tha ajo, logjikës së atyre që shtetin e shohin si pronë private, ndërsa ka përfunduar reagimin e saj duke theksuar se “kjo republikë nuk i nënshtrohet dhunës”.

Reagimi i plotë

Jam thellësisht e tronditur nga lajmi rreth sulmit kriminal e banditesk ndaj Zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani. Ky akt përveçse është i papranueshëm, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe funksionimit të shtetit të Kosovës si dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve.

Sulme dhe sulmues të tillë i njohim mirë. Synojnë që fushata zgjedhore të jetë e përcjellë nga dhuna, frikësimi dhe logjika e forcës, të cilat nuk kanë vend në Republikën tonë. Këto janë metoda primitive të betejës politike të atyre që shtetin e shohin si pronë private dhe sundimin e ligjit e shtetin e së drejtës si padrejtësi dhe provokim.

Pres që institucionet e rendit të reagojnë menjëherë dhe pa kompromis. Autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë pa asnjë vonesë.

Kjo Republikë e ky shtet nuk i nënshtrohet dhunës. Pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *