TË FUNDIT

​Kurti dënon sulmin ndaj Mehanit: Nuk na trembin, nuk tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka quajtur të papranueshëm sulmin ndaj kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për deputet nga Skenderaj, Hysni Mehani.

Kurti, në hapje të mbledhjes së sotme të qeverisë në detyrë, ka thënë se sulmet e tilla nuk i trembin dhe nuk i shtyjnë të tërhiqen nga gara politike në asnjë qytet.

“Teksa po përgatiteshim për mbledhjen e Qeverisë, na erdhi lajmi se kryetari i Qendrës së LVV-së në Komunën e Skenderajt, Hysni Mehani, u sulmua me grushte dhe u godit me gotë në kokë, teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet”, ka thënë ai.

Kurti ka bërë thirrje që organet e rendit e të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë ndaj përgjegjësve të këtij sulmi, duke theksuar se rasti duhet të trajtohet menjëherë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka folur edhe për rastin e bllokimit të minatorëve në Trepçë, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike.

Ai ka bërë të ditur se ekipet emergjente dhe ato teknike kanë reaguar menjëherë për të mundësuar nxjerrjen e minatorëve dhe rikthimin e furnizimit me energji.

Sipas tij, për shkak të një defekti në linjën 35 kilovolt në Stan Tërg është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg. Ai theksoi se ekipi i Trepça Sh.A., i mbështetur nga ekipi i KOSTT-it, është angazhuar menjëherë për rikthimin e furnizimit.

Kurti ka deklaruar se në momentin e ndërprerjes në minierë kanë qenë 47 minatorë, prej të cilëve 29 kanë dalë përmes shkallëve emergjente nga ora 03:00 deri në orën 08:00, ndërsa pjesa tjetër ka dalë më vonë, pas vendosjes së lidhjes alternative emergjente për rikyçjen e linjës 35 kilovolt nga nënstacioni në Stan Tërg.

Ai shtoi se të gjithë minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa shkaqet e avarisë janë duke u hetuar nga organet kompetente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *