TË FUNDIT

SKANDALI NË VUSHTRRI: Mbeturina qelqi hidhen dhe mbulohen me dhe në Kodrën e Banjskës – Drita Dibrani kërkon hetim nga Prokuroria

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Drita Dibrani, ka ngritur shqetësime për hedhjen, djegien dhe mbulimin me dhe të sasive të mëdha të mbeturinave të xhamit dhe mbetjeve të tjera në Kodrën e Banjskës.

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit Komunal, Dibrani ka prezantuar pamje dhe video nga terreni, duke kërkuar sqarime nga drejtorët përgjegjës për aktivitetin dhe kompanitë që mund të jenë të përfshira në trajtimin e këtyre mbeturinave.

Ajo iu drejtua drejtorit Benjamin Shala dhe drejtorit të Inspeksionit, z. Ahmeti, duke kërkuar të dijë nëse në këtë aktivitet është e përfshirë kompania publike “Përparimi” apo operatorë të tjerë dhe nëse ekzistojnë kontrata të rregullta për transportimin dhe trajtimin e mbeturinave të xhamit.

Dibrani ngriti gjithashtu pikëpyetje për mungesën e reagimit të Inspeksionit Komunal, duke e cilësuar shqetësuese situatën, sidomos në një kohë kur kompania publike “Përparimi” përballet me vështirësi financiare dhe vonesa në pagat e punëtorëve.

Ajo kërkoi transparencë lidhur me kompaninë e autorizuar për këtë veprimtari, mbikëqyrjen institucionale dhe zbatimin e kontratave në përputhje me ligjin.

Megjithëse gjatë diskutimit kryesuesja ia ndërpreu fjalën, Dibrani paralajmëroi se nuk do ta lërë me kaq këtë çështje.

Ajo bëri të ditur se dëshmitë e siguruara në terren do t’u përcillen zyrtarisht organeve të rendit dhe Prokurorisë, me kërkesë për hetimin e rastit dhe identifikimin e përgjegjësve të mundshëm.

“Vushtrria nuk është pronë private e askujt. Mjedisi dhe shëndeti i qytetarëve nuk mund të sakrifikohen për interesa të askujt”, është mesazhi i Dibranit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *