POLITIKATË FUNDIT

Kurti: Lojërat Mesdhetare 2030 do të përfshijnë edhe Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Drenasin e Skenderajn

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” po vazhdojnë, ndërsa është riafirmuar se organizimi do të përfshijë edhe komunat e tjera të vendit, sipas planit të paraparë në Librin e Kandidaturës.

Kjo u bë e ditur pas takimit të radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM), ku u diskutuan drafti i Masterplanit, projektet prioritare dhe hapat e mëtejmë për përgatitjet e këtij organizimi.

Sipas njoftimit, Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi dhe Skenderaj, së bashku me komunat e tjera, do të jenë pjesë e organizimit, ashtu siç ishte paraparë që nga aplikimi i Kosovës për organizimin e Lojërave.

Në kuadër të planifikimit janë përfshirë edhe investimet që tashmë janë në zhvillim e sipër në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për projektet prioritare, përfshirë Qendrën e Studentëve, e cila do të shërbejë si Fshat i Atletëve, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Qendrën Akuatike dhe Qendrën Nacionale të Tenisit.

Po ashtu, u diskutua për Stadiumin Nacional dhe mundësinë e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me kapacitet të shtuar, për ceremonitë e hapjes dhe mbylljes së Lojërave.

Në fund të takimit, anëtarët e KOLM-it u dakorduan që të paraqiten me një qëndrim të përbashkët në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku do të prezantohen hapat e mëtejmë të përgatitjeve për “Prishtina 2030”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *