POLITIKATË FUNDIT

Komandanti suprem i NATO-s në Evropë e viziton Kosovën

Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjenerali Alexus G. Grynkewich, ka vizituar Kosovën, ku është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Roberto Vergori, për të diskutuar zhvillimet e sigurisë dhe angazhimin e NATO-s për stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë vizitës është diskutuar edhe procesi i optimizimit të misionit, i cili bazohet në vlerësimin e përmirësimit të situatës së sigurisë.

KFOR-i ka bërë të ditur se çdo ndryshim në numrin dhe përbërjen e trupave do të bëhet në mënyrë graduale dhe të kujdesshme, bazuar në vlerësimet e vazhdueshme në terren. Po ashtu, këto ndryshime do të jenë të kthyeshme në rast të zhvillimeve të rëndësishme të sigurisë.

Gjatë vizitës, Grynkewich dhe Vergori janë takuar me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe me përfaqësues të Listës Serbe.

Sipas KFOR-it, në këto takime është përcjellë mesazhi se siguria e qëndrueshme varet nga një zgjidhje politike, dialogu gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimi.

Vizita ka përfunduar në Manastirin e Graçanicës, ku dy gjeneralët janë takuar me përfaqësues fetarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *