Si nisi të funksionojë Shkolla e Futbollit “2 Korriku” dhe cila ishte kërkesa e Bylbyl Sokolit?
Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte Shaban Baholli, drejtor i përgjithshëm i 2 Korrikut, i cili rrëfeu për rrugëtimin e tij mbi pesëdekadësh me këtë klub, nga fillimet si futbollist në vitin 1971 e deri te përgjegjësitë drejtuese që mban sot. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Baholli ka treguar edhe për hapat e parë drejt organizimit të mirëfilltë të shkollës së futbollit të 2 Korrikut dhe mënyrën se si nisi puna për funksionimin e saj.
“Kur kemi filluar dhe kemi dashur ta hapim shkollën, e kemi thirrur Bylbyl Sokolin. Normalisht, ne si udhëheqësi kemi kërkuar të gjejmë një trajner të mirë, i cili do ta organizonte shkollën siç duhet”, ka rrëfyer Baholli.
“Kushti i tij ka qenë të siguronim 20 topa. Kur e tha këtë, ne menduam se çfarë do të na duheshin 20 topa, por ia kemi siguruar dhe kështu kemi filluar të punojmë, duke e organizuar punën tamam si shkollë futbolli”, ka treguar ai.
“Gjithë organizimin e ka bërë Bylbyli, por ne e kemi përkrahur. Kështu që na ka mbetur ajo disiplinë dhe disa gjëra të tjera që i thoshte Bylbyli, të cilat vazhdojnë edhe sot”, ka shtuar Baholli.
“Mbi të gjitha, kemi dashur që fëmijët të jenë të disiplinuar dhe të kulturuar. Ne nuk mund t'ua japim të gjithë kulturën, por mund t'i ndihmojmë në këtë drejtim”, ka thënë Baholli, ndër të tjera.
Episodin e plotë me Shaban Bahollin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./ Telegrafi /
