Shtrenjtohen kreditë hipotekare në Zvicër, interesi për afatet 10 vjeçare kalon 2%
Kreditë hipotekare në Zvicër janë shtrenjtuar gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, pavarësisht se Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) vazhdon ta mbajë normën bazë të interesit në 0 për qind. Rritja prek kreditë me afat fiks, duke shtuar kostot për qytetarët që planifikojnë të blejnë banesa ose të rifinancojnë kreditë ekzistuese. Sipas të dhënave të platformës zvicerane të krahasimit Comparis, norma orientuese për kreditë hipotekare me afat fiks dhjetëvjeçar arriti në 2.07% në fund të shtatorit, nga 1.77% në fund të qershorit. Kjo është hera e parë gjatë vitit 2026 që norma orientuese për këtë kategori kalon pragun prej 2 për qind, duke shënuar nivelin më të lartë që nga marsi i vitit 2025. Shtrenjtimi është vërejtur edhe në afatet më të shkurtra të financimit. Norma orientuese për kreditë pesëvjeçare u rrit nga 1.52 në 1.90 %, ndërsa për kreditë trevjeçare nga 1.32 në 1.75%, shkruan Swissinfo , transmeton Telegrafi. Ndryshe paraqitet situata te kreditë e lidhura me normën SARON, të cilat vazhdojnë të ofrohen me interesa relativisht më të ulëta. Sipas Comparis, normat mesatare të ofruara për klientët e kategorisë së parë lëvizin nga 0.8 deri në 1.2%. Të dhënat bazohen në normat orientuese të publikuara nga rreth 30 institucione financiare zvicerane. Sipas ekspertit financiar të Comparis, Dirk Renkert, një nga arsyet kryesore është rritja e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, e cila ka shtuar kostot e rifinancimit për bankat zvicerane. Një tregues i rëndësishëm për përcaktimin e kostove të financimit, norma dhjetëvjeçare e shkëmbimit të interesit (swap), u rrit nga 0.53% në fund të qershorit në 0.83% në fund të shtatorit. Kështu, edhe pse norma bazë e SNB-së mbetet e pandryshuar, kushtet e financimit në treg mund të ndryshojnë dhe të reflektohen drejtpërdrejt në kreditë që bankat u ofrojnë klientëve. Sipas vlerësimit të Renkert, inflacioni i ulët në Zvicër nuk i jep bankës qendrore arsye të ngutshme për ta rritur normën bazë në afat të shkurtër. Megjithatë, perspektiva ekonomike, dobësimi i frangës zvicerane dhe rritja e çmimeve të energjisë mund të shtojnë presionin për një shtrëngim të ardhshëm të politikës monetare. Kjo nënkupton se normat hipotekare mund të vazhdojnë të ndikohen nga zhvillimet në tregjet financiare, edhe nëse SNB nuk e ndryshon menjëherë normën bazë. Comparis u rekomandon personave që planifikojnë të blejnë një pronë ose të rinovojnë kredinë ekzistuese të krahasojnë ofertat e disa institucioneve financiare. Normat orientuese të publikuara nuk janë domosdoshmërisht ofertat përfundimtare për secilin klient. Kushtet individuale mund të negociohen dhe interesat përfundimtare mund të jenë më të ulëta se normat standarde. Rritja e fundit tregon se kostoja e financimit të banesave në Zvicër mbetet e ndjeshme ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, pavarësisht nivelit të ulët të normës bazë të interesit. /Telegrafi/
