TË FUNDIT

Shqiptarët e Zvicrës në mbështetje të arbëreshëve, koncert bamirësie në Cyrih

Me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore arbëreshe në Itali, sonte në sallën prestigjioze Tonhalle Zürich në Zvicër u mbajt koncerti bamirës “Echoes of Origin”, me mezzosopranon shqiptare Flaka Goranci.

Koncerti kishte për qëllim mbështetjen e krijimit të ateliesë së parë kushtuar kostumeve tradicionale arbëreshe në Piana degli Albanesi, në Itali.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja nga Gjakova kishte ftuar komunitetin shqiptar në Zvicër të bëhej pjesë e kësaj iniciative, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe solidaritetit mes shqiptarëve, shkruan Telegrafi.

“Për 500 vjet, komuniteti arbëresh në Itali ka ruajtur gjuhën, traditën dhe identitetin tonë. Sot është radha jonë t’u dalim në mbështetje paraardhësve tanë!”, kishte shkruar Goranci.

Sipas saj, çdo biletë e koncertit kontribuon drejtpërdrejt në krijimin e ateliesë kushtuar kostumeve tradicionale arbëreshe, të punuara me fije ari të vërtetë.

Koncerti “Echoes of Origin” ndërthuri muzikën tradicionale shqiptare me atë klasike, duke bashkuar tingujt e çiftelisë, lahutës dhe defit me kitarën klasike dhe operën.

Flaka Goranci, mezzosoprano shqiptare me karrierë ndërkombëtare, përmes projekteve të saj artistike promovon kulturën dhe trashëgiminë shqiptare në skenat evropiane.

Kjo iniciativë synon të forcojë lidhjet ndërmjet diasporës shqiptare në Zvicër dhe komunitetit arbëresh në Itali, i cili prej më shumë se pesë shekujsh vazhdon të ruajë gjuhën, zakonet dhe traditat shqiptare. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *