“Serbët të ndjekur në Kosovë”? Eksperti i sigurisë i rrëzon pretendimet
Media shtetërore ruse “Russia Today” ka publikuar një artikull propagandistik duke synuar të krijojë perceptimin se serbët në Kosovë janë të ndjekur.
Në artikullin në fjalë përmendet edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti duke e paraqitur zbatimin e ligjit në Kosovë si “fushatë arrestimesh ndaj serbëve”.
“Për shkak të flamujve serb, këngëve nacionaliste dhe krimeve të luftës, Kurti për pesë vjet arrestoi mbi 150 serbë në Kosovë”, titullohet artikulli.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Bota sot”, thotë se raportimet ndërkombëtare për Kosovën shpesh ndikohen nga klima gjeopolitike dhe jo nga realiteti në terren.
Ai kritikon narrativat që e paraqesin zbatimin e ligjit si veprim etnik apo politik, duke përmendur publikimet e Russia Today si shembull të interpretimit selektiv të situatës në Kosovë.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Sipas tij, veprimet e institucioneve të rendit janë procese ligjore dhe nuk mund të reduktohen në narrativa politike kundër kryeministrit Albin Kurti.
“Raportimet ndërkombëtare mbi Kosovën shpesh reflektojnë më shumë klimën gjeopolitike sesa vetë dinamikat reale në terren. Artikujt që ndërtojnë korniza të përgjithësuara mbi baza etnike, duke e paraqitur zbatimin e ligjit si veprim të motivuar politikisht apo etnikisht, kërkojnë trajtim kritik dhe profesional nga çdo lexues dhe institucion medial.
Në këtë kontekst, publikimet e kanalit mediatik Russia Today për situatën në Kosovë kanë ngritur sërish debatin mbi kufirin mes raportimit informativ dhe narrativës politike. Kur veprimet e institucioneve të rendit dhe ligjit interpretohen në mënyrë selektive, rrezikohet të krijohet një perceptim i shtrembëruar mbi realitetin institucional dhe shoqëror në vend.
Zbatimi i ligjit në Kosovë është proces institucional që përfshin organet e drejtësisë, policisë dhe gjykatave, dhe nuk mund të reduktohet në narrativa të thjeshtuara që lidhen me përkatësi etnike. Në këtë kuptim, çdo përpjekje për të individualizuar përgjegjësinë politike në figurën e Kryeministrit Albin Kurti dhe për ta paraqitur atë si faktor të vetëm të zhvillimeve komplekse institucionale, përbën një thjeshtim të realitetit politik dhe juridik”, thotë ai.
Tutje, ai paralajmëron se rreziku i narrativave të tilla nuk është vetëm përmbajtja, por edhe ndikimi që kanë në perceptimin publik.
Sipas tij, në shoqëri të ndjeshme si Kosova, diskurset e pakontekstualizuara mund të rrisin mosbesimin dhe tensionet, edhe pa ndryshime reale në terren.
Ai përfundon se është thelbësore të dallohet faktet nga interpretimet për të shmangur që narrativat mediatike të kthehen në burim tensionesh.
“Rreziku kryesor i këtyre narrativave nuk qëndron vetëm në përmbajtjen e tyre, por në efektin e mundshëm që ato mund të kenë në perceptimin publik. Në shoqëri me histori të ndjeshme ndëretnike, çdo diskurs i pakontekstualizuar mund të ndikojë në rritjen e mosbesimit, polarizimit dhe tensioneve simbolike, edhe kur nuk ekziston një ndryshim real në gjendjen e sigurisë.
Për këtë arsye, media ndërkombëtare dhe aktorët e komunikimit publik mbajnë një përgjegjësi të veçantë: të ruajnë standardet e verifikimit, të shmangin kornizimet e njëanshme dhe të kontribuojnë në informim të balancuar, jo në përshkallëzim perceptiv.
Në një mjedis ku informacioni është gjithashtu instrument ndikimi, sfida më e madhe nuk është vetëm të kuptosh ngjarjet, por të dallosh interpretimin nga faktet. Vetëm përmes një qasjeje të tillë mund të ruhet stabiliteti informativ dhe të parandalohet transformimi i narrativave mediatike në burime tensioni politik apo shoqëror”, përfundon ai për “Bota sot”.
