Mustafa “godet” Ramën: “Shteti bektashi” është një përrallë e re – ja kush do të përfitojë nga miliardat
Xhevat Mustafa ka reaguar ashpër ndaj projektit për krijimin e “shtetit bektashi” në Shqipëri, duke e cilësuar si një “përrallë” të re të pushtetit dhe duke hedhur poshtë pretendimet se ky projekt do t’i sjellë vendit miliarda euro nga turizmi.
Mustafa argumenton se krahasimi me Vatikanin dhe përfitimet turistike të Italisë nuk qëndron, ndërsa ngre shqetësime për pasojat që, sipas tij, mund të ketë ky projekt për Shqipërinë, përcjell “Bota sot”.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si janë shpërndarë përfitimet nga turizmi ndër vite, duke pretenduar se pasuria është përqendruar te një numër i vogël oligarkësh, ndërsa pensionistët dhe qytetarët përballen me të ardhura të ulëta dhe rritje të çmimeve.
Shkrimi i plotë
Një përrallë e re nga përralltarë “të vjetër e të djegur”: “Shteti bektashi do t’i sjellë miliarda të varfërës Shqipëri!?”
Qysh kur lindi, pa u mbarsur dhe pa iu njohur nëna e babai, “shteti bektashi”, për të mashtruar ata që kanë rreth 84 vjet që lumturohen dhe fluturojnë me presh në prapanica, kur i gënjen si fëmijë partia e zemrës, u sajua edhe përralla se krijimi i “shtetit bektashi” do t’ia shumëfishojë Shqipërisë miliardat e fitimeve nga turizmi në Majën e Tomorit e në selinë e Kryegjyshatës në Tiranë, ngjashëm si Italia nga Vatikani!?
Kjo sajesë e trashë apo qesharake, përveç gjëmave gjeo-politiko-administrative që i shkakton Shqipërisë, të cilat do të lumturojnë vetëm qarqe politike në Athinë, Beograd, Moskë, Tel Aviv-Jeruzalem…, nuk merr parasysh se Vatikani është në mes të Romës dhe se turistët, më 2025 rreth 450-475 milionë në Itali (rreth 45 herë më shumë se në Shqipëri) dhe me të ardhura vjetore rreth 22 miliardë euro, bëjnë një rrugë e shumë vizita!
Shikojnë Romën, Napolin, Vatikanin, Firencen, Venecian, Veronën, Milanon, Ligurian, San Remon, Riminin, Sicilinë, Pulian, Kalabrinë…!
Autorët dhe shpërndarësit e kësaj përralle harrojnë edhe se ne kemi 35 vjet që presim miliarda nga turizmi dhe se ato, deri më sot, kanë përfunduar në rreth 95% në duart, xhepat, kullat 20-40-katëshe, resortet, dhjetëra vilat e 1000-5000 bosëve apo oligarkëve.
Ndërsa 650 mijë pensionistë, ose 30% e popullit, vazhdojnë me 150-250 euro në muaj pensione, e rreth 40% me paga e të ardhura mujore minimale, kur çmimet janë rritur rreth 2-3 herë në krahasim me vitin 2013, ndërsa pagat e pensionet vetëm 30-40%!?
Pra, ata që kanë dëshirë dhe kënaqësi ta besojnë këtë mashtrim të ri apo të radhës të Edi Ramës, si të panumërtat e Enver Hoxhës, do të vazhdojnë t’i mbajnë sytë dhe shpresat nga ZOTI në qiell dhe nga Edi Rama, Blendi Gonxhe, Baba Mondi, në Tiranë…!?
Natyrisht, kur këta të tre, me dokumente identifikimi si “shqiptarë nga nënat dhe baballarët”, t’i gjejnë zgjuar dhe esëll nga “dehja e rëndë” nga lloj-lloj pijesh dhe nga gjumi i gjatë, sa trembin edhe gratë!
Natyrshëm dhe logjikshëm, nga shumëkush SHQIPTAR, QYTETAR, INTELEKTUAL… mund të mendohet dhe shprehet edhe fare SHQIP, apo troç pyetja:
Ata pak, një tufë apo kope, që e besojnë këtë përrallë, janë më tepër naivë e budallenj apo antishqiptarë dhe maskarenj???
