“Shala apo Bajrami?” – Përplasen skenarët për lidershipin e ardhshëm të LDK-së, analistët paralajmërojnë rrezikun e madh
E ardhmja e Lidhjes Demokratike të Kosovës po shoqërohet me zhvillime dhe deklarata që mund të paralajmërojnë një garë të fortë për lidershipin e ardhshëm të partisë. Propozimi i Avdullah Hotit që Kujtim Shala të jetë kandidat për kryetar të LDK-së, ndërsa Hykmete Bajrami të jetë bartëse e listës dhe kandidate për kryeministre, ka hapur debat për drejtimin që mund të marrë partia në të ardhmen.
Në anën tjetër, Hykmete Bajrami ka paralajmëruar se, nëse gara për drejtimin e LDK-së do të jetë e hapur dhe fer, ajo vetë do të jetë njëra prej kandidateve për kryetare. Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse brenda LDK-së po përvijohen tashmë dy skenarë të ndryshëm për lidershipin e ardhshëm: njëri me Kujtim Shalën në krye dhe Hykmete Bajramin si kandidate për kryeministre, dhe tjetri me vetë Bajramin në garë për drejtimin e partisë.
Por, ndërsa gara e ardhshme e brendshme pritet të marrë formë më të qartë në prag të zgjedhjeve të brendshme të LDK-së, të cilat pritet të mbahen në vitin 2027, njohësit e zhvillimeve politike e shohin situatën si pjesë të një krize shumë më të thellë brenda kësaj partie.
A po përplasen tashmë dy vizione për të ardhmen e LDK-së? A mund të shndërrohen ambiciet e ndryshme për lidership në një betejë të ashpër brenda partisë? Dhe mbi të gjitha, a rrezikon kjo garë ta thellojë edhe më shumë krizën e një subjekti që dikur ishte një prej forcave kryesore politike në Kosovë?
Dajaku: LDK-ja po “shembet” nga brenda, grupacionet, egoizmi dhe servilizmi po e çojnë drejt shuarjes
ImageXhevat DajakuFoto galeri
Xhevat Dajaku në një prononcim për “Bota sot”, vlerësoi se problemet e LDK-së nuk kanë nisur me zhvillimet e fundit dhe as nuk lidhen vetëm me garën e ardhshme për kryetar, por janë rezultat i një dobësimi të vazhdueshëm të partisë nga brenda. Sipas tij, në LDK janë futur figura me profile të paqarta, ndërsa disa prej tyre, sipas tij, nuk kanë kontribuar në forcimin e subjektit.
“LDK-ja është në kolaps, në një masë të madhe, për shkak të futjes së elementëve me profile jo të qarta, ndoshta edhe me qëllime të caktuara, e shpesh me një bagazh anti-LDK. Çdo subjekt dhe çdo organizim forcohet, por edhe dobësohet, nga brenda. Fatkeqësisht, LDK-ja po ‘shembet’ nga brenda, nga njerëz që së paku deri tani nuk i kanë dhënë shumë kësaj partie. Por ka edhe veprimtarë të kahmotshëm që kanë filluar të bashkëpunojnë e të filtrojnë me oponentë anti-LDK, dhe sot jemi në këtë situatë.”
Dajaku përmend edhe figurën e Avdullah Hotit, duke e lidhur të kaluarën e tij politike me një subjekt tjetër politik dhe duke shprehur dyshime rreth propozimit të tij për lidershipin e ardhshëm të LDK-së.
“Një shembull është z. Hoti, i ardhur nga PREK-u i Bujar Bukoshit. Të gjithë e dimë se PREK-u ishte një prej organizimeve që kishte synim dobësimin e LDK-së dhe përpjekjen për t’ia marrë asaj elektoratin. Në atë subjekt ishte edhe z. Hoti. Prandaj, kërkesa e Hotit nuk duket e koordinuar as brenda grupit që doli hapur kundër kryetarit Abdixhiku. Kjo kërkesë më shumë ngjan me kryeneqësi, mosbindje, anashkalim dhe sulm ndaj partisë, me një paramendim dhe qëllim të caktuar.”
Duke komentuar propozimin që Kujtim Shala të marrë drejtimin e LDK-së dhe paralajmërimin e Hykmete Bajramit se edhe ajo do të garonte për kryetare nëse gara do të ishte e hapur dhe fer, Dajaku thotë se këto zhvillime mund të krijojnë përçarje dhe hutim brenda partisë.
“Në njërën anë, ai po kërkon që Shala të bëhet kryetar, ndërsa në anën tjetër Bajrami dëshiron që ajo të marrë kryesimin e LDK-së. Këtu, natyrshëm, lind pyetja nëse qëllimi i tyre është të shkaktojnë përçarje, të fusin huti dhe ta zbehin atë nam të madh që dikur kishte LDK-ja, duke e sjellë në një gjendje ku të mos mund të quhet më ajo parti që ishte.”
Sipas tij, problemi kryesor mbetet mungesa e meritokracisë dhe ndikimi i grupacioneve e interesave individuale, të cilat, sipas tij, mund ta çojnë LDK-në drejt një krize ekzistenciale.
“Se si do të zhvillohen proceset, nuk e di. Por një gjë është e qartë: mungesa e meritokracisë, grupacionet, egoizmi dhe servilizmi më bëjnë të frikësohem se po e çojnë LDK-në drejt shuarjes. Kjo është veçanërisht e dhimbshme për një subjekt që dikur ishte i pakrahasueshëm në Ballkan dhe që për dekada të tëra ishte një nga shtyllat kryesore të jetës politike e kombëtare shqiptare.”
Kapiti: LDK-ja do të shkojë akoma më poshtë, Rugovizmi nuk mund ta shpëtojë të tashmen e partisë
ImageSkënder KapitiFoto galeri
Ndërkaq, publicisti Skënder Kapiti është edhe më kritik ndaj gjendjes aktuale të LDK-së. Ai thotë se pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, partia nuk ka arritur të ndërtojë një vizion të ri politik dhe, sipas tij, vazhdimisht ka humbur peshë në skenën politike.
“Unë kam qenë gjithmonë kritik për mënyrën politike të sjelljes së LDK-së, e cila, pas Rugovës, nuk ka prodhuar dhe nuk ka pasur asnjë vizion, asnjë alternativë dhe as perspektivë, por, me meritë, ajo ka shkuar gjithnjë poshtë e më poshtë. Kisha shpresë se, me marrëveshjen për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës mes saj dhe LVV-së, kjo do të shënonte një pikë kthese dhe kthim të shpresës te anëtarësia e vjetër dhe e re e LDK-së, që do të ishte edhe arritja më e mirë politike pas Rugovës.”
Kapiti për “Bota sot” thotë se zhvillimet rreth marrëveshjes për presidentin dhe qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së kanë dëshmuar, sipas tij, problemet e thella që ekzistojnë brenda subjektit.
“Mirëpo, paburrëria, pasinqeriteti dhe aspak përgjegjshmëria e deputetëve pucistë, të atyre gjashtë deputetëve që e sabotuan këtë marrëveshje, vërtetoi faktin se LDK-ja është një konglomerat ose një amalgamë individësh servilë, por edhe arrogantësh e interesaxhinjsh të paskrupullt. LDK-ja sot nuk ka as alternativë dhe as vizion, por ka një dritëshkurtësi politike korruptive, e cila, si organizatë politike, vetëm sa ka prodhuar kriza në dëm jo vetëm të vetes së saj, por edhe në dëm të shtetit të Kosovës.”
Duke folur për të ardhmen e partisë, Kapiti shprehet se ndryshimi, sipas tij, nuk mund të vijë vetëm përmes zëvendësimit të figurave në krye të LDK-së. Ai kërkon një alternativë të re politike dhe një shkëputje nga ajo që e quan elitë e papërgjegjshme.
“E ardhmja e LDK-së nuk vjen nga kjo ‘merimangë’ e elitës politike të papërgjegjshme të saj. Kësaj elite farëkeqe të LDK-së aspak nuk i intereson Kosova, por vetëm mandati i deputetit dhe allishverishet politike e korruptive. Si e tillë, gjëja më e mirë, shërimi dhe shpëtimi i anëtarësisë së saj nga pengmarrja dhe nga trajtimi prej kësaj elite të farëkeqe politike është braktisja e LDK-së së kësaj elite dhe bashkimi apo krijimi i një alternative reale politike të djathtë e patriotike, që realisht i ka munguar dhe i mungon Kosovës.”
Në fund, publicisti paralajmëron se LDK-ja mund të vazhdojë të humbë mbështetje nëse nuk arrin të përshtatet me kërkesat e gjeneratave të reja dhe nëse vazhdon të mbështetet te trashëgimia e saj historike.
“LDK-ja pashmangshmërisht do të shkojë akoma më poshtë, sepse brezi i ri shqiptar shikon të tashmen dhe realitetin dhe nuk mbetet me kokë e vështrim prapa se çfarë ka bërë dikur Rugova. As nuk e shpëtojnë LDK-në spekulantët mashtrues që spekulojnë e mashtrojnë me Rugovizmin. E kaluara shënohet në histori, por jo se e kaluara mund ta zgjidhë apo ta shpëtojë të tashmen e LDK-së. Kjo është vetëm utopi”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.
