POLITIKATË FUNDIT

Segmenti i Unazës së Brendshme në Prishtinë, reagojnë nga LVV në kryeqytet: Është bashkëfinancuar nga Qeveria dhe Komuna

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se segmenti i Unazës së Qytetit, i përuruar ditë më parë, është projekt i bashkëfinancuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka thënë se ky sqarim bëhet “për hir të informimit të opinionit publik” dhe, sipas tij, në radhë të parë të qytetarëve të Prishtinës.

“Për hir të informimit të opinionit publik, e para së gjithash të qytetarëve të Prishtinës, duhet theksuar se segmenti i Unazës së Qytetit, i përuruar para disa ditësh nga z. Rama, znj. Osmani dhe z. Abdixhiku, është projekt i bashkëfinancuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prishtinës”, ka shkruar ai.

Sveçla ka shtuar se, sipas tij, përkrahja e Qeverisë Kurti për Komunën e Prishtinës “nuk ka munguar asnjëherë” dhe se do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm.

“Përkrahja e Qeverisë Kurti për Komunën e Prishtinës nuk ka munguar asnjëherë dhe do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, sepse projektet zhvillimore nuk janë pronë e individëve apo partive, por investime në interes të qytetarëve dhe të kryeqytetit”, ka theksuar ai.

Deklarimi i Sveçlës vjen pas një njoftimi të Komunës së Prishtinës, e cila para pak ditësh njoftoi për përurimin e “Unazës së Brendshme të Kryeqytetit”, duke e cilësuar si një nga projektet më madhore infrastrukturore.

“Unaza e Brendshme e Kryeqytetit, tashmë në shërbim të qytetarëve… Sonte përuruam një prej projekteve më madhore infrastrukturore për Kryeqytetin”, thuhet në postimin e komunës.

Komuna ka thënë se ky aks pritet të lehtësojë trafikun dhe të ndikojë në sigurinë dhe organizimin e qarkullimit.

“Një aks kyç që do ta lehtësojë ndjeshëm trafikun, me ndriçim modern, hapësira për këmbësorë dhe organizim të ri të qarkullimit… Ky projekt… sjell… më shumë siguri, më pak ngarkesë në komunikacion dhe lëvizje më të lehtë për mijëra qytetarë çdo ditë”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *