TË FUNDIT

Publikohet letra e lamtumirës e ish-shefit të policisë italiane: Ky është testamenti im moral

Gianni De Gennaro (78), ish-shefi i policisë italiane, i cili ndërroi jetë të shtunën e kaluar, kishte lënë një letër prej tetë faqesh në një zarf, së bashku me një hard disk që karabinierët e kishin kërkuar gjatë kontrolleve.

Letra u publikua të enjten nga gazeta italiane “Corriere della Sera”.

Ajo ishte adresuar “personit kompetent, me shpresën se do të ketë ndershmërinë ta publikojë” dhe niste me fjalinë: “Ky është testamenti im moral”.

De Gennaro shkruante se pas pak minutash nuk do të ishte më gjallë, duke shtuar se një njeri i dënuar me vdekje nuk mund të gënjejë. Pjesë të letrës, të cilën gazeta e publikoi si ekskluzive, u transmetuan edhe nga agjencitë italiane të lajmeve ANSA dhe Adnkronos.

Pjesa më e madhe e letrës lidhet me hard diskun që prokurorët në Caltanissetta po kërkonin gjatë hetimeve, shkruajnë mediat .

“Ja ku është objekti i dëshirës, hard disku që të gjithë po e kërkojnë”, shkruante De Gennaro, duke pretenduar se në të nuk kishte as mistere dhe as sekrete, por vetëm gjurmë nga rreth 40 vjet të karrierës së tij, të cilën e përshkruante si një periudhë të mbushur me vuajtje dhe hidhërim.

Sipas tij, dokumentet i kishte ruajtur vetëm për të lënë një dëshmi të rrugëtimit të tij profesional ose për të rifreskuar kujtesën nëse një gjë e tillë do t’i nevojitej drejtësisë.

“Shqyrtojeni me kujdes, por me qetësi shpirtërore, pa kërkuar në mënyrë të panevojshme prapaskena të fshehta”, ishte mesazhi i tij.

Ai shpjegonte se nuk e kishte dorëzuar diskun sepse nuk dëshironte që ai të përfundonte në duart e personave që, sipas tij, nuk ishin në gjendje ta vlerësonin përmbajtjen e tij.

De Gennaro pretendonte se nuk e kishte tradhtuar kurrë betimin për besnikëri ndaj atdheut dhe se nuk kishte kërkuar asnjëherë asgjë për përfitime personale. Si dëshmitarë për këtë përmendte katër ish-kryeministra italianë dhe Gianni Lettu.

“Romano Prodi më shkarkoi nga posti i kreut të policisë”, shkruante ai, duke shtuar se për këtë kishte mësuar nga përgjigjja e Prodit ndaj një pyetjeje parlamentare.

De Gennaro drejtoi policinë italiane nga viti 2000 deri në vitin 2007 dhe ishte një prej figurave kryesore në luftën kundër organizatës mafioze Cosa Nostra.

Ai u gjet i vdekur më 21 nëntor në shtëpinë e tij në Toskanë.

Prokuroria në Caltanissetta po e hetonte nën dyshimet se kishte penguar hetimet për atentatin ndaj gjyqtarit Paolo Borsellino, i cili u vra në Palermo në vitin 1992.

Një javë para vdekjes së tij, prokurorët kishin kërkuar që De Gennaro të vendosej në arrest shtëpiak, por gjyqtari e kishte refuzuar kërkesën. Prokuroria ishte ankuar ndaj këtij vendimi, ndërsa ish-shefi i policisë i kishte mohuar akuzat.

Ndërkohë, hetuesit po analizojnë pesë pajisje të gjetura gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të hetimeve. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *