Salihu: Shkodra me serbë inekzistentë dhe Presheva, Medvegja, Bujanoci me mbi 60 mijë shqiptarë, çfarë diplomacie?
Hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc është mirëpritur nga shqiptarët e Luginës, por njëkohësisht ka hapur debate të forta mbi reciprocitetin diplomatik dhe trajtimin e realiteteve demografike.
Në një reagim publik, veprimtari dhe afarmisti nga Medvegja, Muharrem Salihu, thekson se nuk mund të vendoset shenjë barazimi mes komunitetit serb në Shkodër dhe dhjetëra mijëra shqiptarëve autoktonë që përballen me sfida ekzistenciale, veçanërisht në Medvegjë përmes procesit të pasivizimit të adresave.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të shpërndarë nga Muharrem Salihu:
Hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc është një lajm i mirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Megjithatë, ajo ngre një pyetje të rëndësishme: a mund të trajtohen si të barabarta dy realitete që nuk kanë asnjë ngjashmëri?
Nuk mund të vendoset shenjë barazimi mes një numri thuajse inekzistent te serbëve në Shkodër dhe rreth 60 mijë shqiptarëve autoktonë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Njëra palë përfaqëson një komunitet fare të vogël në Shqipëri, ndërsa pala tjetër është një popullsi historike që prej dekadash jeton nën presion të vazhdueshëm ekstrem dhe përballet me sfida serioze për ruajtjen e të drejtave të saj.
Nëse Shqipëria duhej të hapte një konsullatë aty ku nevoja është më e madhe, ajo do të ishte Medvegja. Pikërisht aty pasivizimi i adresave, shpërngulja e detyruar në heshtje dhe zbehja e pranisë shqiptare kanë goditur mijëra qytetarë. Kjo është sfida reale që kërkon mbështetje institucionale dhe kombëtare.
Ndërkohë, Serbia po arrin të faktorizojë në Shqipëri një realitet pothuajse simbolik, ndërsa ne po e trajtojmë si të barabartë me praninë tonë shekullore në Medvegjë , Bujanoc e Preshevë. Reciprociteti nuk mund të jetë vetëm formal; ai duhet të mbështetet në realitetin historik, demografik dhe në respektimin e të drejtave të njeriut.
Një marrëveshje e tillë do të ishte shumë më e besueshme nëse do të realizohej mes Kosovës dhe Serbisë, pas njohjes reciproke, me hapjen e konsullatave në veri të Kosovës dhe në jug të Serbisë. Vetëm atëherë do të flitej për një reciprocitet të vërtetë.
Shqipëria ka të drejtë të ndërtojë marrëdhënie të mira me fqinjët. Por ka edhe detyrimin që në çdo vendim diplomatik të mos relativizojë realitetin e shqiptarëve jashtë kufijve të saj shtetërorë. Çdo politikë që injoron interesat e shqiptarëve në hapësirat e tjera të trungut kombëtar rrezikon të dobësojë kauzën tonë historike dhe, pa dashje ose me vetëdije, t’u japë hapësirë narrativave dhe ambicieve që historia i ka njohur prej kohësh.
Marrëdhëniet e mira ndërtohen mbi drejtësi, reciprocitet real dhe respekt për të vërtetën historike, jo mbi barazi artificiale.(INA)
