“Specialja i shërbeu interesave serbe” – Bosch: Vendimi ndaj Thaçit është skandaloz
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e ka kritikuar ashpër vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.
Në një prononcim për “Bota sot”, Bosch e cilësoi vendimin “skandaloz”, duke pretenduar se nuk janë paraqitur prova që e lidhin Thaçin me krimet për të cilat është gjykuar.
“Skandaloze. Nuk ka prova që Thaçi kishte të bënte me të ashtuquajturat krime”, deklaroi Bosch.
Ai kritikoi edhe mënyrën e funksionimit të gjykatës, duke thënë se ajo, me vetëdije ose jo, u ka shërbyer interesave të Serbisë.
“Kjo e ashtuquajtur gjykatë kosovare u shërbeu shumë mirë interesave serbe, me vetëdije apo pa vetëdije”, tha ish-ambasadori.
Bosch tërhoqi vëmendjen edhe te mosndëshkimi në Serbi, duke deklaruar se persona përgjegjës për krime vazhdojnë të jenë pjesë e strukturave të larta shtetërore dhe ushtarake.
Ai pretendoi gjithashtu se gjykata ka shpërfillur dëshmitë e zyrtarëve të rëndësishëm perëndimorë.
“Gjykata i shpërfilli dëshmitarët, përfshirë zyrtarë jashtëzakonisht të rëndësishëm perëndimorë. Arroganca është përtej fjalëve”, përfundoi Bosch.
