Shala apel për unitet: “Të zbuten gjakrat dhe të shmanget politika e rrugës”
Publicisti Hafiz Shala ka bërë thirrje për qetësi dhe unitet të faktorit politik e shtetëror në Kosovë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Ai vlerëson se në këtë moment “asgjë më e duhur dhe e nevojshme” nuk është sesa të zbuten gjakrat, duke theksuar se, sipas tij,
“UÇK-ja dhe lufta e saj për liri, doli e pastër si loti”.
Shala konsideron se vendimi i Gjykatës Speciale i ka dhënë “një grusht të rëndë Serbisë dhe aleatëve të saj”, ndërsa pretendimet e ngritura përmes, siç shprehet ai, “trillimeve dhe propagandës së saj përmes Karla Del Pontes dhe Dick Martit”, janë hedhur poshtë. Sipas tij, kjo përbën “një fitore për shqiptarët e në radhë të parë për UÇK-në, e cila doli faqebardhë”.
Duke iu referuar situatës aktuale politike, Shala apelon që institucionet dhe faktorët politikë të tregojnë qetësi dhe të punojnë për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për vendin. Ai thotë se, në fazën e konstituimit të institucioneve shtetërore, “kurrë më i nevojshëm nuk ka qenë uniteti i faktorit shtetëror e politik”.
Shala paralajmëron gjithashtu për rrezikun e dezinformatave dhe propagandës në momente të tilla.
“Mos të harrojmë se, në këto raste, gjithmonë janë të angazhuara forcat armiqësore, shërbimet e huaja inteligjente për të krijuar huti përmes dezinformatave, propagandës, me qëllim të krijimit të një kaosi të cilin askush nuk e dëshiron”, shprehet ai.
Në këtë drejtim, ai kërkon që institucionet shtetërore dhe faktori politik të ulen urgjentisht për të gjetur zgjidhje që do t’i mundësonin Parlamentit të kompletohet dhe shteti të funksionojë në mënyrë “legale e legjitime”. Shala thekson rëndësinë e bashkërendimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me BE-në dhe SHBA-në, duke kujtuar se, sipas tij, shteti i Kosovës është ndërtuar pas luftës në bashkëpunim me këta miq ndërkombëtarë.
Ai u bën thirrje palëve që të shmangin atë që e quan “politikë të rrugës”, veçanërisht në një situatë të ngarkuar emocionalisht, dhe t’u kthehen institucioneve legjitime për marrjen e vendimeve të nevojshme për vendin.
Në përfundim, Shala e cilëson unitetin si faktor kyç për tejkalimin e situatës.
“Kurrë më i nevojshëm se uniteti i sinqertë në këto momente, nuk ka qenë”, thotë ai, duke shtuar se lufta, liria dhe pavarësia janë arritur mbi bazën e unitetit dhe se “ky unitet na duhet në këto momente si kurrë më parë.”
