Rron Gjinovci ‘shpërthen’ ndaj PDK-së e militantëve: Policia shkon kah t’i teket, epoka kur e keni pasë në duart ka mbaruar
Aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar ashpër lidhur me incidentin e ndodhur në Skenderaj, ku u raportua për sulm ndaj zëvendësministrit të Financave Hysni Mehani.
Përmes një reagimi publik, Gjinovci ka thënë se Policia e Kosovës vepron sipas vlerësimit të saj dhe se “epoka kur bandat bënin zullum mbi qytetarë të pafajshëm” ka përfunduar.
“Policia e Kosovës shkon kah t’i teket kur t’i teket dhe me cilatdo njësite. Epoka kur e keni pasë policinë në durt tuja edhe bandat kanë bo zullum në njerëz t’pafajshëm, ka kalu, tash është epokë tjetër”, ka deklaruar ai.
Aktivisti theksoi se dhuna fizike ndaj qytetarëve është vepër penale dhe se përgjegjësit duhet të përballen me ligjin.
“Me rreh njerëz është vepër penale dhe shkon në burg”, u shpreh Gjinovci.
Ai kritikoi edhe ata që, sipas tij, po tentojnë ta relativizojnë ngjarjen.
“Juve që po i relativizoni këto me ‘por’, ju konsideroj të dështum”, ka përfunduar reagimin e tij Gjinovci.
