POLITIKATË FUNDIT

Bashkimi ekonomik, politik dhe i sigurisë: Domosdoshmëri gjeopolitike për shqiptarët

Shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës ka kohë që bashkëpunojnë në fushën e kulturës, arsimit dhe në sektorë të tjerë, duke shënuar hapa konkretë si abetarja e përbashkët, lehtësimet kufitare sezonalisht dhe mbledhjet ndërqeveritare. Megjithatë, në kontekstin e zhvillimeve të reja gjeopolitike dhe sfidave ekonomike të kohës, bashkëpunimi i deritanishëm nuk mjafton më. Sot, krahas integrimit ekonomik, lind si nevojë strategjike edhe koordinimi i ngushtë në politikën e jashtme dhe në sferën e sigurisë kombëtare dhe rajonale.

Krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike – një tregu pa barriera fizike, teknike dhe fiskale – do të mundësonte që mallrat, shërbimet, kapitali dhe njerëzit të lëvizin lirisht sikur brenda një shteti të vetëm. Heqja e procedurave të panevojshme, kontrolleve doganore dhe tarifave do t’i jepte fund bllokimit të mallrave dhe do të ulte kostot për bizneset.

Një treg i unifikuar do t’u ofronte konsumatorëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit produkte me cilësi më të lartë dhe çmime më konkurruese. Njëkohësisht, kompanitë do të kishin qasje më të gjerë, duke nxitur investime të përbashkëta, rritje të prodhimit, punësim më të madh dhe të ardhura më të larta.

Përmes përafrimit të legjislacioneve – gjithnjë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian – dhe njohjes së licencave profesionale, mjekët, juristët, inxhinierët dhe ekonomistët do të mund të ushtronin profesionin e tyre në çdo qytet të Shqipërisë apo Kosovës. Edhe studentët do të lëviznin më lirshëm për studime, duke zgjeruar tregun e dijes dhe të punës, ndërsa ky sinergjizëm do të shtrihej edhe në media, digjitalizim, energjetikë dhe turizëm.

Por në një rajon dhe kontinent të ekspozuar ndaj tensioneve të reja, pasigurive energjetike dhe rishikimit të raporteve gjeopolitike, integrimi ekonomik duhet të mbështetet nga një qasje e përbashkët politike dhe e sigurisë.

Në politikë, Tirana dhe Prishtina duhet të kalojnë nga deklaratat formale në diplomaci të sinkronizuar. Koordinimi i politikës së jashtme, lobimi i përbashkët ndërkombëtar, konsullatat e përbashkëta dhe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare janë kyçe. Ky koordinim duhet të shërbejë gjithashtu si mbështetje e qartë institucionale për të drejtat dhe pozicionin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, duke e forcuar faktorin shqiptar si shtyllë stabiliteti në rajon.

Në siguri, nevoja për veprim të përbashkët është edhe më e mprehtë. Shqipëria, si anëtare e NATO-s, dhe Kosova, me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në proces të vazhdueshëm zhvillimi, kanë nevojë për doktrinë dhe mekanizma më të afërt bashkëpunimi: stërvitje të përbashkëta, shkëmbim informacioni, siguri kibernetike, menaxhim emergjencash dhe projekte të koordinuara në fushën e mbrojtjes. Siguria e Shqipërisë dhe e Kosovës është e lidhur ngushtë dhe çdo paqëndrueshmëri ka ndikim të drejtpërdrejtë në të dyja anët, prandaj partneriteti i ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n mbetet boshti kryesor.

Modeli i tregut të brendshëm evropian tregon se integrimi i mirëfilltë ndërton paqe dhe stabilitet. Më 9 maj 1950, Robert Schuman hodhi bazat e Bashkësisë Evropiane të Thëngjillit dhe Çelikut duke lidhur interesat ekonomike me sigurinë dhe duke e bërë konfliktin të pamundur. Edhe shqiptarët sot mund të ndërtojnë një model funksional bashkëpunimi që forcon ekonominë, energjinë dhe sigurinë, pa qenë i drejtuar kundër askujt, por përkundrazi në shërbim të stabilitetit dhe integrimit evropian të të gjithë rajonit.

Këto nisma kërkojnë qasje afatgjatë shtetërore dhe institucionale, jo improvizime apo protagonizëm të çastit. Vetëm me vizion të qartë dhe veprim të koordinuar, bashkimi ekonomik, politik dhe i sigurisë mund të shndërrohet nga ide në realitet të dobishëm për qytetarët dhe rajonin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *