TË FUNDIT

Rritja e shpejtë e Wolt-it në Kosovë, Lisandri Dragoj zbulon shifrat në Javën Globale të Ndërmarrësisë

Në më pak se dy vite që nga hyrja në tregun e Kosovës, kompania e dërgesave Wolt është zgjeruar në pesë qytete, ndërsa sot numëron mbi 1,400 biznese dhe mbi 750 korrierë të regjistruar në platformë. Kjo rritje pasqyron interesimin e bizneseve vendore për t’u bërë pjesë e platformës dhe pritjen pozitive të shërbimit nga konsumatorët.

Për zhvillimin e Wolt-it dhe mundësitë që kjo platformë digjitale po krijon për bizneset dhe punësimin në Kosovë, foli Lisandri Dragoj, Drejtori i Përgjithshëm i Wolt për Kosovë dhe Shqipëri, gjatë një bisede me Shpend Lilën në Startup Grind Prishtina. Aktiviteti u mbajt në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK), në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, ku Wolt ishte një nga kompanitë mbështetëse.

Duke folur për përvojën e hyrjes në tregun kosovar, Dragoj thase pritja nga konsumatorët ka qenë edhe më pozitive sesa pritej, duke e cilësuar Kosovën si një histori suksesi për Wolt-in në nivel global.

“Prisnim shumë më shumë sfida, sidomos nga ana operacionale, por kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga konsumatorët, të cilët kanë pasur një qasje shumë pozitive ndaj platformës”, u shpreh ai.

Një rol të rëndësishëm në këtë rritje kanë pasur edhe bizneset lokale. Sipas Dragoit, mbi 1,400 biznese janë të regjistruara në Wolt në Kosovë, përfshirë restorante, markete dhe dyqane të kategorive të ndryshme. Përmes platformës, ato mund të marrin porosi edhe nga konsumatorë që jetojnë më larg vendndodhjes së bizneseve.

“Fakti që bizneset, pasi diskutojnë me njëri-tjetrin për performancën në platformë, vendosin të bëhen pjesë e saj, tregon se shohin interes në rritjen e biznesit të tyre”, tha Dragoj.

Zgjerimi ka krijuar edhe mundësi të reja punësimi, veçanërisht për korrierët. Aktualisht, në Kosovë janë mbi 750 korrierë të regjistruar, të cilët punojnë përmes partnerëve të shpërndarjes dhe kanë mundësi të zgjedhin orare fleksibile, përfshirë angazhimin me kohë të pjesshme.

Dragoj foli edhe për rritjen e ndjeshme të ekipit të Wolt-it nëKosovë dhe Shqipëri.

“Nga 20 veta që ishin në fillim, sot flasim për 160 të punësuar drejtpërdrejt nga Wolt”, tha ai. Rreth 15 prej tyre janë të bazuar në Prishtinë, ndërsa pjesa tjetër kryesisht në Tiranë, ku ndodhet edhe ekipi i shërbimit ndaj klientëve.

Wolt nisi operimin në Kosovë në janar të vitit 2025, fillimisht në Prishtinë, për t’u zgjeruar më pas në Ferizaj, Prizren dhe Gjilan. Me nisjen e shërbimit në Pejë në nëntor të këtij viti, platforma ka arritur në qytetin e pestë.

Krahas zgjerimit gjeografik, Wolt ka shtuar edhe kategoritë e produkteve që mund të porositen përmes aplikacionit.

Përveç restoranteve, konsumatorët sot mund të blejnë edhe nga marketet, farmacitë dhe dyqanet lokale, duke e bërë platformën pjesë të rëndësishme të tregtisë së përditshme në vend.

Videon e plotë nga Startup Grind e gjeni këtu .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *