Ju presin gjobat! Rojet komunale në Butel nisin “gjuetinë” ndaj ndërtimeve dhe parkimeve pa leje
Në territorin e Komunës së Butelit sot po zhvillohen kontrolle të shtuara inspektuese, në koordinim me shërbimet inspektuese të Qytetit të Shkupit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kontrollet përfshijnë objekte për të cilat dyshohet se funksionojnë në kundërshtim me ligjin, si dhe automjete të parkuara në mënyrë të parregullt.
Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, njofton se po kontrollohet dokumentacioni i ndërtimit, ligjshmëria e objekteve dhe zgjerimeve të tyre, si dhe lejet për vendosjen dhe shfrytëzimin e tarracave. Ndërkohë, në kuadër të kontrolleve të trafikut shqiptohen gjoba për parkim të parregullt në vendkalime për këmbësorë, shtigje për biçikleta dhe hapësira të gjelbra.
“Hapësira publike duhet të jetë e qasshme për qytetarët, ndërsa ligjet dhe rregullat duhet të vlejnë njësoj për të gjithë. Kontrollet e shtuara do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim vendosjen e një rendi më të madh, sigurisë dhe respektimit të dispozitave ligjore”, deklaron Kostovski.
Ai thekson se në Butel nuk do të ketë zbatim selektiv të ligjeve dhe se respektimi i rendit dhe ligjshmërisë është detyrim për të gjithë.
