TË FUNDIT

Rrëfimi i lashtë për Jezusin sfidon dyshimin shekullor të studiuesve!

Nga: Andrea Margolis / Fox News Digital (titulli: Ancient account of Jesus challenges centuries of scholarly doubt: 'Totally authentic' ) Përkthimi: Telegrafi.com

Një studiues beson se një rrëfim gati 2000-vjeçar për Jezusin mund të jetë historikisht më i besueshëm sesa mendohej më parë, duke sfiduar kështu dyshimet e kahershme për një nga rrëfimet më të hershme jokristiane për jetën e tij.

T. C. Schmidt, profesor i asociuar i studimeve fetare në Universitetin Ferfild në Konektikat, është autor i librit të vitit 2025 me titull Jozefi dhe Jezusi: Prova të reja për atë që quhet Krisht [ Josephus and Jesus: New Evidence for the One Called Christ ], i cili shqyrton një pasazh prej kohësh të diskutueshëm për Jezusin, të shkruar nga historiani i lashtë hebre, Jozefi.

Jozefi jetoi afërsisht nga viti 37 deri në vitin 100 pas Krishtit dhe shkroi për Jezusin në veprën e tij Lashtësitë e hebrenjve [ Antiquities of the Jews ], duke dhënë një nga të paktat rrëfime jokristiane që kanë mbijetuar për jetën e tij.

Në këtë pasazh, Jozefi e përshkroi Jezusin si urtak që tërhoqi ndjekës dhe u dënua me kryqëzim nën Ponc Pilatin. Teksti gjithashtu u referohej rrëfimeve se Jezusi u shfaq përsëri i gjallë pas vdekjes së tij.

Për shekuj të tërë, studiuesit kanë debatuar nëse skribët e krishterë e ndryshuan pasazhin, i cili përmban pohime për Jezusin të cilat disa historianë besojnë se do të kishin qenë të pazakonta për një shkrimtar hebre jokristian.

Por, Schmidt i tha Fox News Digital -it se kërkimi i tij sugjeron se pasazhi është autentik, duke u mbështetur në analizën gjuhësore dhe krahasimet me shkrime të tjera të Jozefit.

Schmidti shqyrtoi versione të lashta të rrëfimit të Jozefit në greqisht, latinisht, siriakisht, arabisht dhe armenisht, duke përdorur krahasime tekstuale dhe analizë stilistike të ndihmuar nga kompjuteri për të argumentuar se pasazhi i diskutueshëm ishte në përputhje me stilin e të shkruarit të Jozefit.

Analiza e tij, tha Schmidt, gjeti ngjashmëri në të gjithë pasazhin.

“Unë tregoj se çdo frazë e vetme në pasazh mund të gjurmohet te Jozefi. E gjitha tingëllon si diçka që Jozefi do ta thoshte”, tha Schmidt.

Schmidti argumentoi gjithashtu se disa nga përshkrimet e Jozefit për Jezusin janë keqinterpretuar, duke bërë që pasazhi të duket më i favorshëm ndaj krishterimit sesa Schmidti beson se Jozefi kishte për qëllim.

Për shembull, ai tha se përshkrimi i Jozefit për Jezusin duke kryer vepra të mbinatyrshme nuk do të thotë patjetër se historiani besonte se ato fuqi vinin nga Perëndia.

Në vend të kësaj, gjuha është më e paqartë, duke lënë të hapur nëse besohej se ato fuqi vinin prej burimeve hyjnore apo demonike.

“Kjo, në fakt, tingëllon si diçka që do ta kishte thënë një hebre jokristian”, tha Schmidt. “Kemi edhe rrëfime të tjera të hebrenjve të mëvonshëm që thonë gjëra të ngjashme për Jezusin”.

“Pra, kur i bashkon të gjitha, stili i fragmentit përputhet me Jozefin dhe pohimet e mesazhit përputhen me atë që Jozefi do të kishte thënë si hebre jokristian”, shtoi ai. “Me fjalë të tjera, fragmenti duket plotësisht autentik”.

Schmidt tha se gjetjet e tij mund t’i forcojnë dëshmitë historike që lidhen me jetën e Jezusit.

“Ajo që bën ky fragment është se e përforcon vendin e Jezusit në histori”, tha Schmidt.

Ai tha se rrëfimi i Jozefit vërteton në mënyrë të pavarur hollësi që gjenden në Ungjij, përfshirë dishepujt e Jezusit, reputacionin e tij për kryerjen e mrekullive dhe kryqëzimin e tij nën Ponc Pilatin.

Schmidti theksoi gjithashtu përmendjen që fragmenti i bën ringjalljes së Jezusit, duke argumentuar se ajo ofron dëshmi historike për atë që besonin ndjekësit e tij më të hershëm.

“Vetë Jozefi nuk e pohon ringjalljen, por pohon se të krishterët e hershëm, dishepujt e Jezusit, besonin se Jezusi ishte ringjallur ditën e tretë”, tha Schmidt.

Kur u pyet për pritjen që i është bërë librit të tij, Schmidt tha se libri ka marrë reagime pozitive, ndërsa disa po i rishqyrtojnë pikëpamjet e tyre për autenticitetin e fragmentit.

Autenticiteti i rrëfimit të Jozefit mbetet ende objekt debati mes studiuesve, ndërsa historianët vazhdojnë të mos pajtohen se sa nga fragmenti mund të jetë ndryshuar prej skrëbeve të mëvonshëm të krishterë.

Schmidti tha se, që nga botimi i librit, ka identifikuar edhe dy ose tri lidhje të tjera të mundshme mes Jozefit dhe njerëzve të lidhur me kryqëzimin e Jezusit – një temë për kërkime të ardhshme.

Ai gjithashtu i nxiti lexuesit t’i shqyrtojnë vetë burimet historike, duke vënë në dukje se kërkimi i tij e kishte shtyrë të vinte në pikëpyetje atë që ai ishte mësuar më parë.

“Gjatë gjithë jetës sime akademike më kishin mësuar se ky paragraf i Jozefit nuk ishte autentik. Dhe, unë e besoja këtë”, tha Schmidt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *