TË FUNDIT

Barcola shpjegon largimin nga PSG dhe transferimin te Liverpooli

Bradley Barcola ka folur për transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të verës nga Paris Saint-Germaini te Liverpooli, duke pranuar se largimi nga klubi francez nuk ishte aspak i lehtë, por se kishte ardhur momenti për një sfidë të re në karrierën e tij.

Sulmuesi francez ka kujtuar me emocione periudhën e kaluar në Paris, ku kaloi vite të rëndësishme dhe fitoi shumë trofe, duke theksuar se kishte krijuar një lidhje të veçantë me bashkëlojtarët dhe klubin.

"Për mua, ishte momenti i duhur për t'u larguar nga PSG-ja. Kalova shumë vite të bukura atje dhe fitova një numër të madh trofesh. Por kishte ardhur koha për t'u larguar", deklaroi Barcola.

Ai pranoi se ndarja me ish-bashkëlojtarët ishte veçanërisht e vështirë, pasi në klubin parisien kishte krijuar një ambient që i ngjante një familjeje.

"Ishte mjaft e vështirë, sepse atje ishte krijuar një atmosferë e vërtetë familjare. Kishim ndërtuar diçka shumë të veçantë së bashku. Për më tepër, ishte e vështirë të largohesha dhe t'u thosha lamtumirë bashkëlojtarëve të mi. Por, në fund të fundit, kështu është futbolli", u shpreh ai.

Megjithatë, oferta e Liverpoolit ishte një mundësi që sulmuesi francez nuk dëshironte ta humbiste.

Barcola theksoi se nuk kishte pasur dilema për t'iu bashkuar skuadrës angleze dhe se është i lumtur me vendimin e marrë.

"Kur një klub si Liverpooli të kontakton, është diçka e jashtëzakonshme. Nuk pata asnjë dyshim dhe e dija se duhej të vija këtu. Jam i lumtur që jam këtu dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë edhe për PSG-në", përfundoi Barcola. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *