TË FUNDIT

“Gruaja nuk del me punu…” – Jaka Gashi tregon si ka ndryshuar mentaliteti në Kosovë

Drejtoresha e organizatës Women for Women, Iliriana Jaka Gashi, ka vlerësuar se mentaliteti ndaj punësimit të grave në Kosovë ka ndryshuar dukshëm gjatë 15 viteve të fundit, por ka theksuar se përgjegjësitë familjare dhe puna e papaguar vazhdojnë të jenë pengesa të mëdha për pavarësinë e tyre ekonomike.

Në episodin e nëntë të podcastit “Rrugëtimi”, Jaka Gashi ka folur për përvojën e saj në terren me gratë në Kosovë, duke krahasuar qëndrimet e dikurshme të familjeve ndaj punësimit të grave me realitetin e sotëm.

Sipas saj, ndryshimi i mentalitetit është një proces i vështirë, por shoqëria kosovare ka shënuar përparim.

“Mentaliteti është ajo çka është më së vështiri me e ndryshu, por në Kosovë ka progres”, është shprehur ajo.

Jaka Gashi ka kujtuar se kur kishte filluar punën në organizatë, rreth 15 vjet më parë, kishte familje ku burrat nuk e pranonin që gratë të punonin jashtë shtëpisë, edhe kur gjendja ekonomike ishte e vështirë.

Duke ilustruar këtë qasje, ajo ka cituar një qëndrim që dikur ishte i pranishëm në shoqëri:

“Gruaja ime: Nuk ka nevojë me dalë prej shtëpisë, ne mundemi edhe me hekë fukarallëk, por unë jam ai që ka me dalë me punu”

Sipas saj, në atë kohë gruaja pritej të merrej me shtëpinë dhe fëmijët, ndërsa burri shihej si personi që duhej të siguronte të ardhurat për familjen.

Megjithatë, Jaka Gashi ka theksuar se kjo situatë ka ndryshuar dhe se sot është rritur numri i burrave dhe anëtarëve të tjerë të familjes që e mbështesin punësimin e grave.

Por, sipas saj, ndryshimi i qëndrimit ndaj punësimit nuk është shoqëruar gjithmonë me një ndarje më të barabartë të përgjegjësive brenda familjes.

“Por tash janë vështirësi të tjera, janë sfida të tjera”, ka deklaruar ajo.

Jaka Gashi ka shpjeguar se shumë gra, edhe pasi përfundojnë orarin e punës, vazhdojnë të mbajnë pothuajse të njëjtat përgjegjësi shtëpiake që kishin para se të punësoheshin.

“Pasi kthehet prej punës e presin të gjitha ato punë të cilat i ka pas edhe kur nuk ka punu”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, ky realitet dëshmon se barazia nuk duhet të kufizohet vetëm te mundësia e grave për t'u punësuar, por duhet të përfshijë edhe ndarjen e përgjegjësive familjare.

“Barabarsia ka nevojë me qenë në shumë aspekte”, është shprehur Jaka Gashi.

Drejtoresha e Women for Women ka theksuar se, bazuar në hulumtimet dhe përvojën e organizatës në terren, kujdesi dhe puna e papaguar janë ndër pengesat kryesore që ndikojnë në përfshirjen e grave në tregun e punës.

Ajo ka kërkuar që institucionet të luajnë një rol më aktiv në krijimin e kushteve që ua lehtësojnë grave punësimin.

Në këtë drejtim, Jaka Gashi ka përmendur nevojën për më shumë çerdhe me çmime të përballueshme, mundësi më të lehta transporti dhe politika që mbështesin njëkohësisht punëmarrësit dhe bizneset.

Sipas saj, edhe bizneset kanë filluar të tregojnë më shumë gatishmëri për t'i mbështetur gratë, por në kushtet ekonomike të Kosovës ato përballen me vështirësitë e tyre.

Prandaj, ajo ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe komuniteteve për krijimin e mundësive më të mira ekonomike.

Jaka Gashi ka treguar se një tjetër ndryshim pozitiv gjatë viteve të fundit është rritja e interesimit të grave për trajnim dhe zhvillim profesional.

Sipas saj, dikur organizata duhej të shkonte në terren për t'i kontaktuar gratë dhe për t'i përfshirë në programet e saj, ndërsa sot gjithnjë e më shumë gra i drejtohen vetë organizatës për ndihmë.

“Tash ka gjithmonë e më tepër gra që vijnë te ne”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka treguar se gratë kontaktojnë organizatën përmes rrjeteve sociale për të kërkuar trajnime profesionale, ndërsa në disa raste janë edhe fëmijët që interesohen për mundësitë e aftësimit të nënave të tyre.

Women for Women, sipas Jaka Gashit, ofron mbështetje për aftësim profesional, punësim dhe zhvillimin e bizneseve të grave, duke përfshirë edhe trajnime për menaxhim, marketing dhe aftësi digjitale.

Në fund, ajo ka vlerësuar se përparimi i arritur është i rëndësishëm, por se nevojitet angazhim i mëtejshëm për të krijuar kushte ku gratë të kenë mundësi të barabarta për punësim dhe zhvillim ekonomik. /Telegrafi/

Episodin e plotë mund ta gjeni më poshtë.

– YouTube www.youtube.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *