Rexhepi i del në mbështetje Qeverisë: Sundimi i ligjit nuk mund të negociohet
Ditë më parë janë rrënuar njëmbëdhjetë shtëpi në bregun e Liqenit të Ujmanit, të cilat ishin ndërtuar pa leje në tokë nën administrimin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”.
Për këtë, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar, duke shprehur keqardhje për veprimin dhe shqetësim për mungesën e respektimit të procedurave ligjore.
Bashkimi Evropian ka kërkuar ndaljen e menjëhershme të rrënimeve dhe çdo mase të mëtejshme derisa të adresohen çështjet që lidhen me të drejtat pronësore, sundimin e ligjit dhe procedurat gjyqësore në zhvillim.
“Ajo bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur”, thuhet në reagimin e BE-së
Ndërkaq, zyrtari i partisë Guxo, Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, e ka cilësuar të papranueshme që vëmendja të përqendrohet më shumë te disa objekte të rrënuara sesa te respektimi i rendit kushtetues dhe ligjor në vend.
“Është e papranueshme që Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Ambasadës Gjermane t’u kushtohet më shumë vëmendje disa ndërtimeve të rrënuara sesa zbatimit të ligjit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka detyrim kushtetues të mbrojë territorin, pasurinë publike dhe rendin ligjor. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, pavarësisht përkatësisë etnike apo mbështetjes politike. Nëse objektet janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin ose në zona të mbrojtura, institucionet kanë jo vetëm të drejtën, por edhe obligimin t’i trajtojnë ato sipas legjislacionit në fuqi”, ka thënë ai.
Më tej, Rexhepi ka vlerësuar se partnerët ndërkombëtarë duhet të mbështesin zbatimin e barabartë të ligjit dhe të shmangin krijimin e perceptimit për standarde të dyfishta.
“Partnerët ndërkombëtarë kanë qenë për vite me radhë mbështetës të sundimit të ligjit në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye pritet që edhe në këtë rast të mbështesin zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë, e jo të krijojnë përshtypjen se për disa vlejnë një rregulla e për të tjerët rregulla të tjera.
Republika e Kosovës është shtet sovran dhe demokratik. Vendimet e institucioneve të saj duhet të respektohen kur ato bazohen në ligj dhe merren nga organet kompetente. Sundimi i ligjit nuk mund të negociohet dhe nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive”, ka shtuar ai.
Në fund, ai ka shprehur mbështetjen për veprimet e Qeverisë së Kosovës që synojnë mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e shtetit përmes zbatimit të ligjit.
“Qeveria e Kosovës meriton mbështetje për çdo veprim që synon mbrojtjen e interesit publik, të pasurisë shtetërore dhe të rendit kushtetues. Forcimi i shtetit bëhet përmes ligjit, jo përmes tolerimit të shkeljeve.
Kosova ecën përpara duke mbrojtur sovranitetin, ligjin dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para institucioneve. Kjo është rruga e një shteti serioz dhe evropian”, ka përfunduar Rexhepi për “Bota sot”.
