POLITIKATË FUNDIT

Publicisti bën thirrjen për Kurtin, Haxhiun e Sveҫlen: Fushata ka nisur më e egër se kurrë më parë

Publicisti Adriatik Riza Dosti ngre alarmin për rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve për dhunë në prag të zgjedhjeve në Kosovë. Ai thekson se këto nxitje po përhapen nga media dhe aktorë politikë, duke rrezikuar stabilitetin dhe duke nxitur përçarje mes shqiptarëve.

Dosti u bën thirrje institucioneve në detyrë që të veprojnë menjëherë për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit.

Sipas tij, mosveprimi mund të çojë në pasoja të rënda dhe të paparashikueshme për vendin.

Ai paralajmëron se situata mund të degradojë deri në përplasje të brendshme, nëse nuk ndalet kjo klimë tensioni.

Postimi i plotë:

Letër publike

Znj. A. Haxhiu dhe zotërinjve A. Kurti e Svečla, respektivisht presidente, kryeministër e ministër i rendit – në detyrë.

Fill pas mosarritjes për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe pas shpalljes së datës 7 qershor si dita e zgjedhjeve të reja në Kosovë, prag fushata, ose më mirë të themi fushata elektorale, ka nisur… madje e ashpër dhe e egër si kurrë më parë.

Anë e kënd Kosovës po dëgjohen thirrje, madje publike, për larje hesapesh, revansh, rrëzime e largime me dhunë, thirrje për mësymje ndaj kundërshtarëve politikë, nxitje të “sovranit” për të marrë pushtetin forcërisht e deri tek kërcënimet me jetë… vrasje, tërheqje zvarrë, dërgim mbrapsht për në Crna Gora, ofendime të rënda ndaj diasporës etj. etj.

Dhe të gjitha vijnë nga studio TV shqipfolëse të paguara nga Beogradi e Tirana, nga portale të papërgjegjshme, po shqipfolëse, mbushur me helm e vrer, nga radio e gazeta folëse e shkruese që nxisin vëllavrasjen e shqiptarin kundër shqiptarit me një lloj agresiviteti që edhe vetë serbi do t’jua kishte zili.

Në krye të listës së këtyre palaçove, sharlatanëve, karagjozëve, burracakëve, rrugaçëve, frikacakëve e antishqiptarëve, fatkeqësisht qëndrojnë drejtues të opozitës e deputetë të saj, e veçmas ata të LDK-së, të PDK-së, të AAK-së e së fundmi edhe përkrahësit mjeranë të V. Osmanit.

Zonjë e zotërinj të nderuar Haxhiu, Kurti e Svečla… deri në përfundim të zgjedhjeve të reja, shpalljes së rezultateve të tyre, krijimit të qeverisë së re e parlamentit të tij… ju jeni ende në detyrë dhe sipas ligjit e Kushtetutës ju takon t’i garantoni vendit e popullit tuaj sigurinë, qetësinë e normalitetin.

Ndaj veproni e mos hezitoni dhe mos e çoni Kosovën drejt anarkisë e kaosit, e veçmas mos lejoni ngritjen e shqiptarit kundër shqiptarit.

Mbani përgjegjës ligjërisht autorët e këtyre thirrjeve, pa pasur frikë se opozita do t’i shfrytëzojë ato politikisht… ligji është ligj dhe duhet zbatuar e duhet të funksionojë njësoj ndaj të gjithëve pa kurrfarë dallimi… ndryshe shteti nuk funksionon e zhbëhet.

Ndaloni veprimtarinë thellësisht antishqiptare të disa TV-ve që e ushtrojnë aktivitetin e tyre publik brenda territorit të Republikës së Kosovës, sepse prej studiove të tyre e prej shumë pseudoanalistëve të paguar prej armiqve të shqiptarësisë po villet vrer e po bëhen thirrje për vrasje, linçime e hakmarrje ndaj VV-së e drejtuesve të qeverisë e të shtetit të sotëm të Kosovës.

Mbyllini ato pa kurrfarë hezitimi dhe mbajini përgjegjëse para ligjit e Kushtetutës.

Pa pasur kurrfarë frike se po shkelni të drejtat e njeriut, lirinë e fjalës e të informimit, fjalën e lirë etj. etj.

Po sulmohet egërsisht e çdo ditë Kosova e populli i saj, po shkelet poshtërsisht me këmbë vullneti i vërtetë i sovranit, po fyhen, ofendohen rëndë e po kërcënohen me jetë të gjithë ata që nuk mendojnë e nuk u hapin rrugë Abdixhikut, Hamzës, Ramushit, Vjosës e pasuesve mjeranë të tyre.

Bëjeni këtë sot… madje urgjentisht e në përputhje me ligjin e Kushtetutën e vendit tuaj… ndryshe nesër do të jetë vonë dhe thirrjet e sotme antishqiptare, të paguara e të sponsorizuara nga Beogradi e Tirana dhe nga Vuçiç e Rama, do të lënë nesër pasoja të tmerrshme e të paparashikueshme… larg qoftë të një lufte civile e vëllavrasëse mes nesh, aq të dëshiruar prej armiqve tanë shekullorë.

A.R.D.

Image

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *