Thirrje publike për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale
Gjendja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që nuk kanë arritur ta marrin statusin zyrtar, mbetet e ndjeshme dhe komplekse. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u ofroi mbështetje institucionale dhe bëri thirrje për aplikim, ndërsa qindra kërkesa janë refuzuar për shkak të mungesës së dokumentimit. Viktimat pa status mbeten pa mbështetjen financiare dhe shëndetësore që garanton njohja zyrtare.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës që të aplikojnë për njohjen e statusit.
Pas vizitës në Shoqatën e Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile, ajo theksoi se kjo kategori përballet me sfida të shumta në të gjitha aspektet e jetës.
“Më lejoni të shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë personave që kanë qenë të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë që të aplikojnë për njohje të statusit. Ju e dini që janë katër organizata të licencuara që merren me ndihmën e personave të mbijetuar të dhunës seksuale, përfshirë pastaj si organizata e pestë edhe organizatën në të cilën jemi, që në vazhdimësi i kanë ndihmuar personat e dhunuar që t’i tejkalojnë sfidat me të cilat ata përballen”, tha Albulena Haxhiu, ud. presidente e Kosovës.
Ndërsa drejtori i Shoqatës së Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile në Kosovë, Mustafë Prenku, foli për gratë që trajtohen në këtë shoqatë.
“Në këtë qendër i kemi mbi 900 gra që kryejnë trajnime, mbi 400 raste të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës që kanë përjetuar dhunë gjatë luftës dhe jam shumë krenar që del dikush të na vizitojë dhe i din hallet dhe dertet e organizatave që merren me këto kategori të dala nga lufta”, deklaroi Prenku.
Sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, mendohet se rreth 20,000 gra dhe burra kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
