Kjo është kompania ku u gjetën 250 kilogramë suxhuk dhe cigare
Zyrtarët doganorë në Stuttgart kanë sekuestruar më shumë se 250 kilogramë produkte mishi të paimportueshme gjatë një inspektimi të një autobusi nga Kosova.
Siç njoftuan zyrtarët doganorë të hënën, zyrtarët vunë re një erë të fortë që vinte nga disa çanta e udhëtarëve.
Në total, oficerët konfiskuan 252.8 kilogramë produkte mishi.
Burime kanë mësuar se kompania në të cilën është gjetur kjo sasi e suxhukut është ‘Barileva Tours’.
Përveç sasisë së mishit, udhëtarët që po udhëtonin me këtë kompani kishin tentuar të fusnin në Gjermani pa deklaruar edhe 700 cigare, dritare alumini, një kondicioner, e madje edhe një kuzhinë të tërë.
Në autobusin e ‘Barileva Tours’ u gjet edhe një qenush i racës Maltipoo, i vlerësuar rreth 2,200 euro, i cili nuk kishte vaksinat e nevojshme. Qeni u dërgua menjëherë në karantinë, ndërsa mallrat u sekuestruan.
Ndaj dy shoferëve dhe një personi tjetër kanë nisur procedurat për evazion fiskal dhe import të paligjshëm të produkteve ushqimore.
