Presidenti i ri, kriza politike dhe opozita – Hafiz Shala tregon kush, sipas tij, po e bllokon vendin
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë pajtuar që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të Kosovës.
Dakordimi mes dy subjekteve politike vjen në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit institucional dhe shmangien e një tjetër procesi zgjedhor.
Kandidatura e Sejdiut pritet të jetë pjesë e procesit të votimit në Kuvend, ku mbështetja e deputetëve do të jetë vendimtare për përfundimin e procesit të zgjedhjes së presidentit dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve.
Opinionisti Hafiz Shala, ka përgëzuar Albin Kurtin dhe LDK-në për dakordimin rreth kandidaturës së Bekim Sejdiut për president.
Ai e ka cilësuar Sejdiun si një zgjedhje të qëlluar, ndërsa ka vlerësuar se mbetet të shihet nëse LDK-ja do ta sigurojë kuorumin e nevojshëm për përfundimin me sukses të procesit.
ImageOpinionisti Hafiz ShalaFoto galeri
“E përgëzoj Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, për mundësinë e konstituimit të institucioneve.
LDK-ja, megjithatë, tregoi pjekuri, por mbetet të shihet se a do ta krijojë kuorumin e partisë për ta përfunduar me sukses këtë nismë me interes shtetëror.
Unë pajtohem me këtë marrëveshje për z. Bekim Sejdiun; një zgjedhje të qëlluar. Nëse mund të shprehem në këtë mënyrë, sepse nuk e kam vërejtur se ishte “laskuç”, siç thotë populli, për pushtet, siç bëjnë ata të cilët bëjnë shumë zhurmë e reklama boshe për t’u dukur të përshtatshëm, por në të vërtetë, në brendinë e tyre ekziston diçka që nuk e dinë të gjithë. Ama, veprimtaritë e tyre me ata që ishin të caktuar për fatin tonë në një periudhë të caktuar, ishin ngushtë të lidhura me koston e marrjes së ndonjë pushteti.
Do t’i dëshiroja Presidentit të ardhshëm, z. Bekim Sejdiu, që të jetë President i popullit dhe jo i asnjë partie, në momentet kur, siç e këndonte njëri një këngë: “Moj e mira nëpër molla, na u mbush vendi me Fatmir Sheholla”, tha ai.
Më tej, ai ka deklaruar se presidenti i ardhshëm, Bekim Sejdiu, duhet të jetë “president i popullit dhe jo i asnjë partie.
Shala ka akuzuar PDK-në dhe AAK-në se po pengojnë funksionalizimin e institucioneve, duke pretenduar se synimi i tyre është largimi i Albin Kurtit nga pushteti.
Shala ka ngritur gjithashtu akuza të rënda për lidhje të ish-udhëheqjeve politike me qarqe kriminale serbe.
“Tani doli e vërteta se kush ishte bllokuesi dhe pse.
Qëllimi dhe frika e këtyre dy partive është largimi nga pushteti i Albin Kurtit, të njëjtat me kërkesat e Serbisë, e cila në vazhdimësi ka kërkuar dhe ka financuar spiunë dhe qarqe për ta diskredituar Kurtin, i cili, me sa di unë, në asnjë takim zyrtar në BE, në prezencën e zyrtarëve të saj, kurrë dhe asnjëherë nuk ia ka shtrirë dorën Vuçiqit. Nëse jam gabim, kërkoj falje dhe e tërheq mendimin, sepse nën qeverisjen e tij, sikur deri më tani, shumëçka doli në sipërfaqe, për të cilat populli nuk ka pasur mjaft njohuri.
PDK-ja dhe AAK-ja janë në krizë të thellë morale partiake, sepse, me çdo kusht, janë të interesuara që të mos ketë shtet funksional, për t’i mbuluar të bëmat e tyre në bashkëpunim me Serbinë dhe njerëzit e saj, të cilët, në një mënyrë, përmes Radoiçiqit, e kontrollonin Republikën e Dardanisë, me pëlqimin e ish-udhëheqjes sonë për mbi njëzet vjet, me në krye të shtetit dhe qeverisë Thaçin dhe Haradinajn, si dhe njerëzit përreth tyre, të cilët vepronin si të verbër për të qëndruar në pushtet dhe për t’u pasuruar në mënyrë enorme, në bashkëpunim me armiqtë kriminalë serbë, duke e vjedhur pasurinë dardane.
Kjo nuk është teori, por e vërtetë, e cila është e dukshme dhe e prekshme për çdo qytetar”, theksoi ai.
Shala ka vlerësuar se marrëveshja mes LDK-së dhe Kurtit i jep vendit një mundësi për tejkalimin e krizës institucionale. Ai ka lavdëruar qeverisjen e Kurtit, duke veçuar zhvillimet në veri dhe zbulimin e varrezave masive si dëshmi që, sipas tij, kanë ndihmuar në ekspozimin e krimeve të Serbisë.
“LDK-ja, me këtë veprim, i dha vetes dhe popullit një shans për t’u kthyer kah e mbara, ndërsa Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tregoi fytyrën e një personaliteti i cili, me mençuri, në kriza të këtilla të krijuara nga brenda, u përball me virtyte të larta kombëtare, shtetërore dhe afirmative në aspektin ndërkombëtar të Republikës së Dardanisë.
Suksesi i tij më i madh dhe krucial ishte përzënia e bandave kriminale e terroriste nga veriu, pra çlirimi i asaj pjese dhe kthimi i saj në gjirin e Dardanisë, sigurimi i lëvizjeve të lira të komuniteteve, posaçërisht i atij serb, i kontrolluar dhe terrorizuar nga krimineli Millan Radoiçiq.
Ndërsa, ajo që ishte ndër më të rëndësishmet ishte zbulimi i varrezave masive në truallin tonë, të cilat, për 27 vjet nga çlirimi, askush nga ish-pushtetet nuk e inicioi një veprim të tillë. Ky veprim e zbuloi Serbinë para botës edhe nëpërmjet dëshmive të krimeve të bëra në pjesën të cilën ajo e kontrollonte” – potencoi ai për “Bota sot”.
Në fund, Shala u ka bërë thirrje PDK-së dhe AAK-së që të qëndrojnë në sallë gjatë votimit për presidentin, duke theksuar se Albin Kurti nuk largohet me dhunë nga pushteti. Ai ka paralajmëruar gjithashtu se, sipas tij, shkeljet ndaj shtetit dhe pasurimet e jashtëligjshme do të hetohen dhe ndëshkohen.
“Thirrje partive opozitare, PDK-së dhe AAK-së, që të qëndrojnë në sallë gjatë votimit për Presidentin.
Albin Kurti nuk largohet me dhunë nga pushteti, siç deklarojnë disa përfaqësues të disa partive politike opozitare.
Një gjë duhet ta dini me siguri: të gjitha të bëmat kundër shtetit dhe pasurimet e jashtëligjshme, me këtë qeveri, nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar” foli ai për gazetën.
