TË FUNDIT

Bekim Sejdiu “çelësi” i marrëveshjes Kurti-Abdixhiku, a do ta mbyllë Presidenti ngërçin politik të Kosovës?

Pas javësh negociatash dhe një periudhe të gjatë të ngërçit institucional, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për kandidatin e përbashkët për President të Kosovës, duke propozuar profesorin dhe ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu.

Marrëveshja u njoftua të hënën e 31 gushtit nga kreu i LDK-së, Lumir Abidxhiku, pas takimit me kreun e LVV-së, Albin Kurti.

“Nga të gjithë emrat që janë propozuar, jemi dakorduar për një emër – dhe, ai është prof. dr. Bekim Sejdiu”, tha Abdixhiku.

Në fjalën e tij para mediave, Sejdiu tha se e ka pranuar propozimin që të jetë kandidat për president, duke pasur parasysh kontekstin politik në të cilin ndodhet Kosova.

“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, pra besimi që më kanë dhënë të dy partitë politike”, tha Sejdiu para mediave.

Dakordimi mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, vjen në një moment vendimtar për funksionalizimin e institucioneve dhe shmangien e një tjetër krize politike. Pas një periudhe të gjatë të bllokadës institucionale, tashmë vëmendja është zhvendosur nga tavolina e negociatave drejt Kuvendit, ku marrëveshja duhet të marrë mbështetjen e deputetëve.

Por pyetja që mbetet është nëse Bekim Sejdiu do të arrijë të sigurojë mbështetje përtej LVV-së dhe LDK-së dhe të shndërrohet në një figurë rreth së cilës mund të ndërtohet një konsensus më i gjerë politik. Marrëveshja Kurti-Abdixhiku tashmë përballet me testin vendimtar në Kuvend, ku qëndrimi i deputetëve do të përcaktojë nëse dakordimi mes dy partive do të sjellë përfundimisht zgjedhjen e Presidentit dhe funksionalizimin e institucioneve.

Lidhur me këto zhvillime, për gazetën “Bota sot” kanë folur analistët politikë, të cilët mirëpriten kandidaturën e Prof. Dr. Bekim Sejdiut.

Qarri: Marrëveshja Kurti-Abdixhiku, më e mira e mundshme në gjendjen aktuale

Fillimisht, analisti Gani Qarri e konsideroi marrëveshjen mes Kurtit dhe Abdixhikut si zhvillimin më të mirë të mundshëm në rrethanat aktuale politike në Kosovë.

Sipas tij, dakordimi nuk duhet parë si një kalkulim për interesat e partive politike, por si një marrëveshje që vendos në plan të parë interesin e shtetit dhe qytetarëve.

ImageGani QarriFoto galeri
“Marrëveshja Kurti-Abdixhiku, është më e mira e mundshme në gjendjen aktuale, e cila është arritur për të mirën e shtetit dhe popullit të Kosovës, dhe nuk besoj se është miratuar për uljen a ngritjen e interesit, apo përmirësimin e imazhit të partive politike.

Është një marrëveshje shembull edhe për të ardhmen e cila qëndron mbi partitë dhe nuk është mashë e liderëve partiak por propozim realist në të mirë të vendit, një marrëveshje e shumëpritur për zgjedhjen e problemit të Presidentit të ri të shtetit, i cili marrë parasysh kualifikimin dhe përvojën në institucione, politikë e diplomaci dhe duke qenë emër konsensual, do duhej ta votonin të gjitha partitë pjesëmarrëse në Kuvend, pa dallim bindjeje apo qëndrimi politik”, deklaron Qarri për “Bota sot”.

Qarri vlerëson lart profilin profesional të Bekim Sejdiut, duke e cilësuar atë si një prej kandidatëve më të përgatitur për këtë pozitë. Ai thekson veçanërisht përgatitjen e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomaci, demokraci, të drejtat e njeriut, qeverisje dhe çështjet evropiane.

“Prof dr. Bekim Sejdiu është kandidati më i përgatitur me titullin doktor i kualifikuar për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomatike, njohës i mirë i fushës së demokracisë dhe të drejtave të njeriu, i cili ka zgjeruar profilin profesional edhe me studimet për qeverisje dhe çështjet evropiane, me një fjale kandidat i përsosur dhe i kualifikuar gjithanshëm, të cilit askush nuk ka argumente as arsye që ti gjejë edhe këtij ‘behane’”, shprehet ai.

Sipas Qarrit, në rrethanat aktuale politike, zgjedhja e Presidentit është e lidhur drejtpërdrejt me stabilitetin e institucioneve dhe funksionimin normal të shtetit. Për këtë arsye, ai konsideron se kandidatura e Sejdiut duhet të marrë mbështetje të gjerë parlamentare.

“Prandaj duke qenë se gjendemi në një situatë në të cilën edhe vet stabiliteti politik i Kosovës, qeverisja e qëndrueshme dhe mbarëvajtja e shtetit tonë të brishtë, lidhet drejtpërsëdrejti me zgjedhjen e presidentit, propozimi i LVV-s dhe LDK-së me kandidatin prof.dr.Bekim Sejdiu është emri më i qëlluar, për të cilin pa dallim bindjeje e partie, duhet të votojnë të gjitha subjektet parlamentare dhe ta zgjedhin njëzëri për presidentë të Republikës së Kosovës, që në seancën e parë të Kuvendit”, deklaron Qarri.

Ai thotë se Sejdiu ka ndërtuar ndër vite një profil të gjerë institucional, diplomatik, juridik dhe akademik, çka, sipas tij, e bën kandidaturën e tij të përshtatshme për një pozitë që kërkon përfaqësim dhe autoritet institucional.

“Prof.dr. Bekim Sejdiu, për vite me radhë, është njëri nga personalitetet më respektuara, i cili përveç përgatitjes së sipërore profesionale, në mënyrat më dinjitoze ka udhëhequr e drejtuar institucionet më jetike dhe ka përfaqësuar në nivelet më të larta diplomatike dhe politike edhe shtetin e Kosovës, andaj gëzon shumë fakti se pas disa javësh negociata dhe një periudhe të gjatë të ngërçit institucional, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përfundimisht kanë arritur marrëveshje, që pikërisht një figurë e shquar dhe e mirënjohur si prof.dr. Bekim Sejdiu të jetë kandidat i përbashkët për President të Kosovës”, thekson ai.

Gjithashtu, analisti e sheh kandidaturën e Sejdiut si një mundësi për të krijuar një figurë që tejkalon kufijtë partiakë, duke përfshirë edhe opozitën dhe deputetët e komuniteteve.

“Me prof. dr. Bekim Sejdiun LVV dhe LDK kanë propozuar një nga profesorët më të shquar, përfaqësuesin e mirënjohur diplomatik, ambasadorin dhe ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, prof.dr. Bekim Sejdiu, një nga emrat më të mirënjohur edhe në jetën juridike, përveç asaj diplomatike dhe institucionale, propozim që na bënë të shpresojmë fort se do të pranohet me respekt nga të gjithë dhe do ti jap fund ngërçit politik, për vet faktin se z. Bekim Sejdiu plotëson të gjitha kriteret, ndërsa edhe marrëveshje ndërmjet të këtyre dy partive, nuk lidhet me egon e asnjë segmenti politik, thjeshtë është marrëveshje në të mirë të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, shprehet Qarri.

Sipas tij, pajtimi mes Kurtit dhe Abdixhikut ka ardhur në momentin e duhur, pasi një vazhdim i krizës do të mund të çonte vendin drejt një tjetër cikli zgjedhor pa garantuar zgjidhjen e problemeve institucionale.

“Për aq më tepër pajtimi i Kurtit dhe Abdixhikut vjen pikërisht në kohën e duhur dhe momentin vendimtar, kur dhe duhet përfundimisht të funksionalizohen institucionet e shtetit, shmanget edhe një krizë tjetër politike si dhe të mënjanohet çuarja e vendit edhe në një palë zgjedhje të parakohshme, të cilat siç u pa edhe në dy-tri palë zgjedhjet paraprake, zgjedhjet e parakohshme nuk sollën ndryshime të theksuara në mbështetjen e partive nga votuesi si dhe nuk ofruan mundësi për tejkalimin e ngërçit dhe zgjidhjen e të parit të shtetit pa marrëveshje”, deklaron analisti.

Ai beson se profili i Sejdiut përputhet me kriteret që partitë politike kanë kërkuar më herët për Presidentin e vendit.

“Propozimi i prof.dr. Bekim Sejdiut, për president të shtetit, qoftë nga profili aktual, përgatitja e lartë e kualifikimi shumëdimensional shkollor, si dhe vet profesionet që ai ka ushtruar deri më tani, të gjitha i ka kryer me përkushtim dhe në secilën është dëshmuar i suksesshëm, me një fjalë një njeri i sprovuar dhe dëshmuar me suksese të lakmuara në punë e profesion, akademik që me arsye dhe plotë të drejtë është përzgjedhur si kandidat konsensual, duke qenë se ai i plotëson të gjitha ato parime për të cilat flisnin paraprakisht të gjitha partitë, pra personi i duhur, për pozitën e duhur, në kohën dhe momentin e duhur dhe afatin përfundimtar për tu votuar si i pari i shtetit të Kosovës, i cili siç premtoi dhe vet, interesat e Kosovës dhe popullit të saj, do të jenë në radhë të parë, do ti trajtojë gjithmonë me prioritet dhe do ti vendos mbi interesat e partive politike dhe pretendimet grupore a individuale të liderëve të tyre”, thotë Qarri.

Ai shton se pikërisht për shkak të këtij profili, Sejdiu mund të shërbejë si pikë takimi ndërmjet kampeve politike dhe të sigurojë mbështetje përtej LVV-së dhe LDK-së.

“Duke qenë se zgjedhja e Bekim Sejdiut si kandidat konsensual i LVV-së dhe LDK-së, plotëson të gjitha kriteret e pritshmëritë profesionale, që nga ngritja shkollore deri te përvoja diplomatike dhe angazhimet politike e juridike që atij, i ishin besuar në përfaqësimin e institucioneve më të larta dhe shtetit të Kosovës, prof. dr. Bekim Sejdiu, është figura që mund të bashkojë votat edhe përtej dy partive të angazhuara për emërimin e tij, si dhe të shërbejë si pikë takimi mes pozitës e opozitës dhe deputetëve të komuniteteve, një mesazh kuptimplotë që na bënë të shpresojmë, se më në fund, jemi në prag të zgjedhjes së presidentit, mënjanimit të ngërçit e parandalimit të zgjedhjeve të parakohshme si dhe zgjidhjes së problemeve aktuale politike në vend”, thekson Qarri.

Në fund, ai shprehet kritik ndaj atyre që, sipas tij, mund të tentojnë ta pengojnë marrëveshjen dhe ta zgjasin krizën institucionale, duke paralajmëruar se tashmë beteja për Presidentin është zhvendosur në Kuvend.

“Për ata, çuditërisht beteja e vërtetë për Presidentin, vetëm sa ka filluar dhe kaluar nga tavolina e negociatave në Kuvend, por përkundër të gjitha oportunizmave dhe hipokrizive që vazhdojnë të shfaqen nga njerëz të caktuar, le të shpresojmë se shumica e përfaqësuesve të qytetarëve të këtij vendi, do ti thërrasin mendjes dhe nuk do të tentojnë ta stërzgjatin krizën e shkaktojnë probleme të mëtejme popullit dhe shtetit tonë, kur e dinë mirëfilli se sa urgjentisht i duhet Kosovës presidenti, institucionet e qëndrueshme dhe një qeverisje stabile, ngase e presin shumë punë e obligime, që si vend i pavarur dhe shtet serioz, e ka për detyrë ti kryej me kohë dhe në mënyrën më të mirë”, përfundon Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Zgjedhja e Presidentit, nyjë e fortë për t’u zgjidhur

Ndërkaq, analisti Gani Mehmeti e konsideron dakordimin mes Kurtit dhe Abdixhikut si një zhvillim të shumëpritur, por paralajmëron se sfida kryesore tani është sigurimi i votave në Kuvend.

ImageGani MehmetiFoto galeri
“Populli ka pritur me padurim dakordimin e Kurtit dhe Abdixhikut, i cili vjen në një moment vendimtar për funksionalizimin e institucioneve dhe shmangien e një tjetër krize politike. E të dalin tani deputetë kundër kësaj marrëveshjeje është e pakuptueshme dhe e papritur”, deklaron Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, kandidati i përbashkët duhet të marrë mbështetje nga të gjitha subjektet politike, në mënyrë që Presidenti i ardhshëm të mos shihet vetëm si përfaqësues i dy partive që e kanë propozuar.

“Kjo marrëveshje vjen pas negociatash javore dhe pas një periudhe të gjatë të ngërçit institucional. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për kandidatin e përbashkët për President të Kosovës dhe do të duhej ta votonin të gjithë deputetët e këtyre dy partive politike, të paktën. Por, sikur të mos ishte inati, do të duhej ta votonin edhe partitë e tjera, në mënyrë që Presidenti të jetë përfaqësues i të gjitha partive, jo vetëm i atyre që do ta votojnë”, shprehet Mehmeti.

Ai e konsideron zgjedhjen e një kandidati konsensual mes LVV-së dhe LDK-së si një sinjal pozitiv për bashkëpunimin politik, duke vlerësuar se dy partitë duhet të vazhdojnë me një qasje bashkëpunuese.

“Më në fund, zgjedhja e një kandidati konsensual mes këtyre dy partive politike është një mesazh politik dhe një dëshmi e bashkëpunimit mes tyre. LVV-ja dhe LDK-ja do të duhej të ishin bashkëpunuese me njëra-tjetrën”, deklaron ai.

Megjithatë, Mehmeti është më skeptik sa i përket mundësisë që kandidatura e Sejdiut të sigurojë vota edhe nga partitë e tjera opozitare. Sipas tij, qëndrimet e PDK-së dhe AAK-së e bëjnë më të vështirë krijimin e një konsensusi të gjerë.

“Figura e Bekim Sejdiut, siç po shihet, nuk do t’i bashkojë votat përtej këtyre dy partive, për çka janë shprehur edhe vetë partitë e tjera opozitare – PDK-ja dhe AAK-ja. Kjo është për keqardhje, ndërsa deputetët e komuniteteve, në shumicën e tyre, janë me LVV-në dhe LDK-në”, thekson Mehmeti.

Pikërisht për këtë arsye, ai paralajmëron se marrëveshja e arritur mes Kurtit dhe Abdixhikut nuk duhet të konsiderohet ende si fundi i krizës. Sipas tij, gjithçka do të varet nga qëndrimi i deputetëve në Kuvend.

“Marrëveshja Kurti-Abdixhiku do të ishte e mjaftueshme për ta përmbyllur krizën institucionale, apo betejën e vërtetë për Presidentin, e cila sapo ka kaluar nga tavolina e negociatave në Kuvend, sikur ta votonin të gjithë deputetët e LDK-së. Përndryshe, do të shkaktohet një krizë tjetër politike”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.

Marrëveshja për Bekim Sejdiun tashmë e ka kaluar fazën e negociatave ndërmjet dy liderëve, por përballja vendimtare pritet të zhvillohet në Kuvend. Nëse kandidatura arrin të marrë mbështetje të gjerë, ajo mund të shënojë fundin e një prej ngërçeve më të gjata institucionale të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *