“Kush e afroi?” – Kelmendi hap pikëpyetje për lidhjet e Shehollit me politikanët
Juristi Muhamet Kelmendi ka ngritur pikëpyetje lidhur me takimet dhe afërsinë e Fatmir Shehollit me politikanë të nivelit të lartë në Kosovë.
Ai ka pyetur nëse zyrtarët nuk kishin informacione për personin me të cilin takoheshin dhe fotografoheshin, duke theksuar se për njerëzit në poste të larta shtetërore, arsyetimi “nuk e dinim” nuk është i mjaftueshëm.
Kelmendi ka kërkuar përgjigje se kush e afroi Shehollin me politikanët, kush përfitoi dhe pse, sipas tij, ende nuk ka përgjegjësi për këtë çështje.
Postimi i plotë:
Si u bë e mundur që Sheholli të takohej, të fotografohej, të hante dreka e darka me pothuajse çdo politikan të nivelit të lartë në Kosovë?
Vërtet nuk kishin informata?
Nuk e dinin me kë po uleshin në tavolinë? Nuk e dinin me kë po fotografoheshin? Nuk e dinin se çfarë lidhjesh dhe interesash mund të fshiheshin pas gjithë kësaj afërsie?
Është e vështirë të besohet se të gjithë ishin “të painformuar”.
Kur bëhet fjalë për njerëzit që mbajnë poste të larta shtetërore, “nuk e dinim” nuk mjafton si arsyetim.
Prandaj, pyetjet janë të qarta:
Kush e dinte?
Kush e afroi?
Kush përfitoi?
Dhe pse sot askush nuk mban përgjegjësi?
Publiku meriton përgjigje, jo heshtje dhe justifikime.
