TË FUNDIT

Policia trajton mjetin e dyshuar në Prishtinë: Dyshohet se ishte lëshuar nga ajri

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka trajtuar në mënyrë profesionale dhe të sigurt një mjet të dyshuar të gjetur në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë. Sipas Policisë, mjeti dyshohet se ishte lëshuar nga ajri, ndërsa për rastin do të vazhdojnë ekzaminimet dhe hetimet për zbardhjen e rrethanave.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot, rreth orës 17:00, ka pranuar një informacion për një mjet të dyshuar në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, përfshirë evakuimin e qytetarëve dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë.

Në vendngjarje ka dalë edhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve të Improvizuara Eksploduese, i cili ka kryer trajtimin e mjetit në mënyrë profesionale, të sigurt dhe të kontrolluar.

Sipas Policisë, mjeti i dyshuar dyshohet se është lëshuar nga ajri.

“Policia e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë gatishmërinë dhe efikasitetin e saj në garantimin e sigurisë publike, ndërsa për mjetin e dyshuar do të vazhdojnë ekzaminimet e mëtejme si dhe zbardhjen e rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.

Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën e treguar, ndërsa i ka ftuar që çdo rast apo informacion lidhur me mjete të dyshuara ta raportojnë menjëherë në numrin emergjent 192 ose përmes aplikacionit digjital të Policisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *