TË FUNDIT

Kurti pas takimit me von der Leyen: Aktgjykimi në Hagë ka gabime, presim korrigjimin e tyre në apel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është deklaruar edhe për aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kurti ka shprehur shqetësime për disa prej konkludimeve dhe dënimeve të shqiptuara, ndërsa ka veçuar tri pika të aktgjykimit që, sipas tij, duhet të theksohen në arenën ndërkombëtare.

Kurti: Tri pika të aktgjykimit duhet të theksohen ndërkombëtarisht

Kurti ka përmendur pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë”, rrëzimin e akuzave për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile, si dhe qëndrimin e Dhomave të Specializuara se UÇK-ja nuk është në gjyq.

“Le të stopojmë pakëz, të doja të ndalem edhe tek aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara, të cilat qytetarët tanë po e ndjekin me shumë vëmendje. Në këtë aktgjykim janë tri pika që duhen theksuar ndërkombëtarisht”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës.

“E para, pretendimet për të ashtuquajturën «Shtëpi të Verdhë» dhe për trafikimin e organeve as nuk bëjnë pjesë e aktakuzës”, tha ai.

Kurti më pas iu referua akuzave për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile.

“E dyta, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi edhe qëndrimin e Dhomave të Specializuara lidhur me UÇK-në.

“Dhe e treta, Dhomat e Specializuara theksuan qartë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, u shpreh Kurti.

“Presim që gabimet të korrigjohen në apel”

Krahas këtyre vlerësimeve, Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka shqetësime serioze lidhur me konkludime të tjera të aktgjykimit dhe dënimet e shqiptuara.

Ai tha se pret që këto çështje të trajtohen në procedurën e apelit.

“Në të njëjtën kohë, kemi shqetësime serioze për konkludime të tjera dhe për dënimet e rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, tha Kurti.

Kurti për viktimat e dhunës seksuale

Kryeministri foli edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se përgjegjësit për krimet duhet të përballen me drejtësinë.

“Rreth 20,000 njerëz janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe për çdo kryerës”, deklaroi ai.

Kurti shtoi se, sipas tij, nuk duhet të krijohen narrativa që barazojnë përgjegjësinë për krimet.

“Dhe ne nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë se fajësisë për shkak se dëshiron dikush të krijojë narrativa alternative”, tha kryeministri.

“Kosova e ka bërë pjesën e saj”

Në fund të deklarimit, Kurti e falënderoi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për vizitën në Kosovë.

Ai tha se Kosova është e gatshme të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Presidente von der Leyen, ju falënderoj edhe një herë përzemërsisht që jeni këtu. Kosova e ka bërë pjesën e saj dhe ne jemi gati për hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, përfundoi Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *