Plani i Netanyahut për Iranin – shkatërrimi i rrjetit të ujit dhe energjisë
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po shqyrton mundësinë e një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit, i cili mund të përfshijë shkatërrimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe energji elektrike, si dhe të infrastrukturës tjetër jetike të vendit.
Sipas mediumit izraelit Ynet, në qarqet e larta ushtarake dhe të inteligjencës izraelite po diskutohet mundësia që, në rast se nuk arrihet rrëzimi i regjimit iranian, Teherani të dobësohet përmes goditjes së infrastrukturës dhe ekonomisë së tij.
Një zyrtar i lartë izraelit i sigurisë, i cili ka qenë i përfshirë në planifikimin e dy operacioneve të mëparshme kundër Iranit, e ka cilësuar këtë ide si "çmenduri të pastër".
Sipas tij, disa zyrtarë në ushtrinë izraelite dhe në shërbimin e inteligjencës Mossad besojnë se sulmet e deritanishme nuk kanë qenë të mjaftueshme për të arritur objektivat e synuara, raportojnë mediat .
Mbështetësit e një operacioni të ri konsiderojnë se shkatërrimi i infrastrukturës jetike do ta kthente Iranin disa dekada prapa dhe do t'ia vështirësonte rindërtimin e programeve bërthamore dhe raketore.
Ndërkohë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po përgatisin një plan për një sulm të mundshëm të përbashkët, megjithëse ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar për realizimin e tij.
Megjithatë, ideja e goditjes së infrastrukturës civile ka ngritur shqetësime për pasojat humanitare që mund të përjetojë popullsia iraniane, prej rreth 90 milionë banorësh. Një sulm i tillë mund të shkaktojë ndërprerje masive të furnizimit me ujë dhe energji elektrike, duke e zhytur vendin në një krizë të rëndë.
Zyrtari izraelit ka paralajmëruar gjithashtu se një përshkallëzim i konfliktit mund të ketë pasoja për të gjithë rajonin. Irani ka kërcënuar se, në rast të sulmeve ndaj infrastrukturës së tij civile, do të godasë objektet e naftës, impiantet energjetike dhe infrastrukturën jetike të vendeve të Gjirit Persik.
Ndërkaq, zyra e Netanyahut i ka cilësuar si të pavërteta pretendimet për planet e tilla, duke deklaruar se vendimet e kryeministrit izraelit udhëhiqen nga interesat e sigurisë së Izraelit dhe qytetarëve të tij. /Telegrafi/
