TË FUNDIT

Haxhiu dhe Gërvalla homazhe në Prekaz, kujtojnë sakrificën për liri dhe rëndësinë e 28 Nëntorit

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Prekaz, në kompleksin memorial “Adem Jashari”, për të nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Me këtë rast, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e veçantë që kanë Prekazi dhe familja Jashari për lirinë që gëzon sot Kosova, duke vlerësuar rezistencën dhe sakrificën e tyre në rrugën drejt çlirimit të vendit.

“Për lirinë që ne sot e gëzojmë, Prekazi dhe familja Jashari kanë peshë të veçantë. Adem Jashari qysh herët e nisi angazhimin e tij në rezistencën e armatosur për çlirimin e Kosovës, as ai as familja Jashari, burra e gra bashkë, nuk u dorëzuan. Ata rezistuan; prandaj edhe ne përjetë i jemi atyre mirënjohës dhe pikërisht rezistenca e tyre bëri që radhët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës të shtohen”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në mesazhin e saj për 28 Nëntorin, ka folur për rëndësinë historike të kësaj date, përgjegjësinë e dy shteteve shqiptare dhe domosdoshmërinë që shqiptarët kudo në botë të ndihen të përfaqësuar.

“Nëntorët shqiptarë, 28 nëntorët shqiptarë, kulmuan në dy shtetet tona, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, 28 nëntori na përkujton që kemi shumë punë për të bërë, me qëllim që shqiptarët, anembanë botës ku janë, ta ndiejnë veten të përfaqësuar denjësisht nga dy shtetet e tyre dhe ta ndiejnë veten përgjegjës për sakrificën, për gjakun e derdhur, për të gjithë ata trupa, ata mijëra e mijëra trupa të cilët të mbështjellë me flamurin kombëtar prehen në tokën e Kosovës”, ka deklaruar Gërvalla-Schwarz.

28 Nëntori shënon një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, duke bashkuar kujtesën për sakrificën, rezistencën dhe përpjekjet për liri e shtetndërtim. /kp/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *