Pas 70 vjetësh Ansambli Kombëtar i Shqipërisë me koncert në Skoci
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore i Shqipërisë do të prezantojë trashëgiminë kulturore shqiptare në Edinburg të Skocisë, në një koncert të veçantë që shënon rikthimin e tij në këtë vend pas 70 vjetësh.
Artistët shqiptarë do të ngjiten në skenën ndërkombëtare më 23 nëntor, me shfaqjen e titulluar “Albania Through Byron’s Eyes” (Shqipëria përmes syve të Bajronit).
Kjo shfaqje artistike ndërthur traditat dhe kulturën shqiptare me frymëzimin që Shqipëria dhe bukuritë e saj i dhanë poetit të njohur britanik, Lord Byron.
Përmes këngëve, valleve, muzikës dhe kostumeve tradicionale, artistët do të sjellin para publikut një mozaik të identitetit shqiptar, duke prezantuar pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore.
Nga Ansambli Kombëtar bëhet e ditur se ky udhëtim përfaqëson një mundësi të veçantë për ta çuar kulturën shqiptare përtej kufijve dhe për ta prezantuar atë para publikut ndërkombëtar.
Koncerti do të mbahet në prag të festave të nëntorit, duke sjellë një pjesë të atdheut më pranë komunitetit shqiptar që jeton në Skoci.
Pas shtatë dekadash, rikthimi i Ansamblit në Skoci vjen si një ngjarje e rëndësishme artistike dhe kulturore, përmes së cilës kënga, vallja dhe tradita shqiptare do të dëshmojnë edhe një herë vlerat dhe veçantinë e tyre në skenën ndërkombëtare. /KosovaNews/
