“Nuk e kemi përmbushur misionin tonë”: Programi i lajmeve në televizionin publik në Serbi filloi me një kërkim falje për shikuesit
Në edicionin e parë informativ nga Radio-Televizioni i Vojvodinës (RTV) – prezantuesi Goran Eror, që në fillim, të hënën, lexoi një ndjesë për faktin se pamjet e shumta të festimeve të "Listës së Studentëve" pas zgjedhjeve të së dielës nuk u transmetuan në RTV, pavarësisht kundërshtimeve të disa punonjësve.
Edicioni filloi me pamje nga festimet e mbrëmjes të së dielës në rrugët e Novi Sadit dhe qyteteve të tjera në Serbi.
Dhe sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Eror deklaroi se shërbimi publik nuk e ka përmbushur funksionin e tij prej vitesh.
"Shërbimi publik nuk e ka kryer funksionin e tij prej shumë vitesh. Ka heshtur, ka mbyllur sytë, ka informuar në mënyrë të njëanshme, ka raportuar pa asnjë qasje kritike; nuk ka bërë pyetjet e duhura, ose nuk ka bërë fare pyetje. Për këtë, u kërkojmë ndjesë shikuesve", ka thënë prezantuesi.
❗️Dnevnik RT Vojvodine u 17h.V.d glavnog i odg. urednik RTV je podneo ostavku.Ali ovo izvinjenje i jedan otkaz nisu dovoljni! Potrebna je odgovornost, otkaz, i njegova i SVIH onih koji su dosad ćutali na javnom servisu svih građana.🧹 https://t.co/8dBKmjfsEl — MoreofSea 🌅📷 (@MoreofSea) October 26, 2026
Ai shtoi se një pjesë e punonjësve të RTV-së janë përpjekur që gazetarët dhe redaktorët e këtij institucioni të mund të punojnë lirisht dhe në përputhje me parimet etike.
"Fatkeqësisht, nuk e fituam betejën në kohën e duhur, por besojmë se është një luftë që ia vlen të bëhet", ka thënë më tej Eror.
Kujtojmë se për dy vjet, një lëvizje protestuese e udhëhequr nga studentët u përpoq ta largonte nga pushteti Aleksandar Vuçiqin, i cili e drejtonte Serbinë, qoftë si president, qoftë si kryeministër, që nga viti 2014.
Dhe gjatë fundjavës, ata e arritën qëllimin e vet.
Ata arritën një fitore bindëse në zgjedhje, ku lëvizja i fitoi 139 nga 250 vendet në Parlament. / Telegrafi /
