Nga ceremonia te inteligjenca digjitale, si publikimi i të dhënave të policëve të rinj rrezikon sigurinë kombëtare
Publikimi i fotografive, emrave, mbiemrave dhe numrave identifikues të policëve të rinj gjatë ceremonive të certifikimit mund të krijojë rreziqe për sigurinë e tyre personale dhe atë institucionale.
Kështu vlerëson Drizan Shala, analist i rishikimit të sigurisë dhe mbrojtjes, i cili në një intervistë për Telegrafin paralajmëron se këto të dhëna, ndonëse mund të duken të zakonshme, mund të shfrytëzohen nga struktura të huaja për identifikimin dhe profilizimin e personelit policor.
Shala thekson se kombinimi i fotografive, të dhënave personale, lidhjeve familjare dhe aktiviteteve në rrjetet sociale mund të krijojë një pasqyrë të detajuar për zyrtarët policorë, duke shtuar se rreziku është edhe më i madh kur bëhet fjalë për pjesëtarët e njësive speciale dhe strukturat me karakter të ndjeshëm operativ.
Ai paralajmëron se ekspozimi i pakontrolluar i këtyre informacioneve mund të krijojë mundësi për kërcënime, shantazh dhe presion ndaj zyrtarëve policorë, ndërsa kërkon nga institucionet përgjegjëse të vendosin kufij më të qartë ndërmjet transparencës publike dhe sigurisë operative.
Telegrafi: Z. Shala, a mund të paraqesë rrezik për sigurinë personale të policëve të rinj dhe për sigurinë e vendit publikimi i fotografive, emrave, mbiemrave dhe numrave identifikues të tyre gjatë ceremonive të certifikimit?
Drizan Shala : Po, kjo praktikë mund të paraqesë rrezik real për sigurinë personale të zyrtarëve policorë, por edhe implikime më të gjera për sigurinë institucionale dhe kombëtare të Republikës së Kosovës. Çështja duhet të trajtohet jo vetëm nga perspektiva e privatësisë, por mbi të gjitha nga perspektiva e sigurisë operative dhe kundërzbulimit. Duhet ta kuptojmë se në realitetin aktual gjeopolitik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, informacionet që publikohen në hapësirën digjitale nuk janë thjesht fotografi apo të dhëna personale. Ato mund të shndërrohen në burime të inteligjencës për struktura të huaja, përfshirë shërbime armiqësore ndaj interesave të Republikës së Kosovës.
Identifikimi i zyrtarëve të rinj përmes emrit, mbiemrit, fotografisë dhe numrit identifikues krijon një bazë fillestare të të dhënave, e cila mund të grumbullohet, të përpunohet dhe të analizohet përmes metodave OSINT. Në këtë mënyrë, një informacion që për publikun mund të duket krejtësisht i zakonshëm, për një shërbim inteligjent mund të jetë pjesë e një procesi më të gjerë të identifikimit dhe profilizimit të personelit të sigurisë.
Telegrafi : A ekziston ndonjë precedent apo përvojë nga situatat e mëparshme të sigurisë në Kosovë që e dëshmon këtë rrezik?
Drizan Shala :Po. Gjatë periudhave të krizave të theksuara të sigurisë kombëtare në pjesën veriore të Kosovës, kemi parë raste kur vetëidentifikimi i zyrtarëve policorë përmes portaleve dhe platformave të ndryshme mediatike ka krijuar mundësi që të dhënat e tyre, e në disa raste edhe informacionet për kolegët e tyre, të bëhen publike. Kjo është veçanërisht problematike në një mjedis ku ekzistojnë struktura të organizuara që mund të shfrytëzojnë informacionet publike për identifikimin e personelit policor, krijimin e profileve individuale dhe përcaktimin e lidhjeve të tyre profesionale e operative.
Duhet të kemi parasysh se shërbimet inteligjente nuk kanë nevojë domosdoshmërisht për informacione të klasifikuara për të ndërtuar një profil të një zyrtari. Ndonjëherë, kombinimi i fotografive, emrit, vendbanimit, lidhjeve familjare, aktiviteteve në rrjetet sociale dhe historikut të angazhimit profesional mund të krijojë një pasqyrë mjaft të detajuar për një individ. Pra, rreziku nuk qëndron vetëm te publikimi i një fotografie, por te kombinimi dhe korrelacioni i shumë informacioneve të shpërndara në burime të ndryshme.
Telegrafi: Sa më problematike bëhet kjo çështje kur bëhet fjalë për pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës?
Drizan Shala :Këtu duhet të bëjmë një dallim shumë të rëndësishëm ndërmjet identifikimit të zyrtarëve të zakonshëm policorë dhe identifikimit të pjesëtarëve të njësive speciale apo strukturave të tjera me karakter të ndjeshëm operativ. Publikimi i identitetit të operatorëve të njësive speciale mund të krijojë rrezik shumë më të lartë. Këta zyrtarë angazhohen në operacione me ndjeshmëri të veçantë, në situata të krizave, në operacione kundër grupeve kriminale dhe në misione ku ruajtja e identitetit dhe sigurisë personale është element i rëndësishëm i suksesit operacional. Në rast se identitetet e tyre bëhen lehtësisht të qasshme, strukturat armiqësore, përfshirë ato që veprojnë nga Serbia apo në interes të saj, mund të krijojnë dosje individuale për këta operatorë, të identifikojnë lidhjet e tyre familjare dhe shoqërore dhe të vlerësojnë mundësitë për presion, kërcënim, shantazh apo komprometim. Kjo nuk është çështje teorike e teknologjisë, por çështje e mbrojtjes së personelit dhe kapaciteteve operative të shtetit.
Telegrafi: A mund të shkojë rreziku deri në kërcënimin fizik të zyrtarëve policorë?
Drizan Shala : Po, një mundësi e tillë nuk mund të përjashtohet. Duhet të jemi të vetëdijshëm se identifikimi sistematik i personelit policor mund të krijojë kushte për kërcënime individuale, shantazhe, intimidim dhe, në skenarë më seriozë, edhe sulme fizike. Nuk po them se çdo publikim i një fotografie krijon automatikisht një kërcënim të drejtpërdrejtë, por po theksoj se grumbullimi i vazhdueshëm i të dhënave identifikuese mund të shërbejë si bazë për aktivitete armiqësore ndaj zyrtarëve dhe institucioneve të sigurisë. Në veçanti, nëse një operator identifikohet, lidhet me një operacion të caktuar dhe më pas bëhet objekt i analizës nga struktura të huaja, rreziku mund të kalojë nga niveli informativ në atë operacional. Prandaj, publikimi i pakontrolluar i këtyre të dhënave duhet të konsiderohet si një cenueshmëri potenciale e sigurisë kombëtare.
Telegrafi : A duhet të ketë kufizime më të mëdha nga institucionet në publikimin e këtyre të dhënave?
Drizan Shala : Patjetër. Në fakt, ekziston edhe një precedent institucional që duhet të merret në konsideratë. Gjatë mandatit të ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ishte dhënë udhëzim që zyrtarët policorë të mbyllnin llogaritë publike në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, si masë për ruajtjen e sigurisë së tyre personale. Ky është një tregues se çështja e ekspozimit digjital të personelit policor është trajtuar edhe më parë në nivel institucional . Megjithatë, nevojitet një qasje më e strukturuar dhe më e qëndrueshme, e cila nuk varet vetëm nga udhëzimet individuale apo nga vetëdija personale e zyrtarëve.
Telegrafi : Cili është mesazhi juaj për Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse?
Drizan Shala : Mesazhi im është se siguria e një institucioni nuk fillon vetëm në momentin kur zyrtari e vesh uniformën dhe del në terren. Ajo fillon shumë më herët, që nga mënyra se si institucioni i trajton, i identifikon dhe i mbron burimet e veta njerëzore. Policia e Kosovës duhet ta kuptojë se në epokën e inteligjencës digjitale, çdo informacion i publikuar mund të bëhet pjesë e një mozaiku informativ që shërbimet e huaja e shfrytëzojnë për qëllime të tyre.
Nuk është çështje e fshehjes së Policisë nga qytetarët dhe as e kufizimit të transparencës institucionale. Është çështje e përcaktimit të kufirit ndërmjet transparencës publike dhe sigurisë operative. Një shtet serioz nuk duhet t'ua bëjë të lehtë strukturave armiqësore identifikimin, profilizimin dhe potencialisht shënjestrimin e njerëzve që janë të angazhuar për mbrojtjen e tij . Uniforma e policit duhet të jetë simbol i autoritetit publik, por identiteti i tij personal dhe siguria operative duhet të mbrohen me përgjegjësi institucionale.
