TË FUNDIT

Franca akuzon Iranin për sulmet kibernetike ndaj frigoriferëve në supermarketet franceze

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, deklaroi të hënën se Garda Revolucionare Islamike e Iranit qëndron prapa një serie sulmesh kibernetike që muajin e kaluar shënjestruan frigoriferët në supermarketet franceze.

Duke folur pas takimit të ministrave të G7-s në Paris, Barrot bëri të ditur se hetimet për këtë incident janë ende në zhvillim, ndërsa paralajmëroi se ambasadori iranian në Francë do të thirret për të dhënë sqarime lidhur me akuzat.

Sulmi kishte prekur mijëra pajisje frigoriferike në të paktën 350 supermarkete në mbarë Francën. Në mesin e rrjeteve të prekura ishin Carrefour, Monoprix, Intermarché dhe Coopérative U, transmeton Telegrafi.

Sipas autoriteteve franceze, sulmuesit kishin ndërhyrë manualisht në sistemet e kontrollit të temperaturës së frigoriferëve, duke ndryshuar parametrat e tyre dhe duke shkaktuar probleme në funksionimin e pajisjeve.

Akuzat e Parisit vijnë në një kohë tensionesh të shtuara mes Francës dhe Iranit, ndërsa autoritetet franceze po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar mënyrën e realizimit të sulmeve dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.

Megjithatë, hetimet nuk kanë përfunduar ende dhe Franca nuk ka publikuar hollësi të tjera teknike që do të mbështesnin pretendimet për përfshirjen e Gardës Revolucionare Islamike. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *