New York, më 1 nëntor mbahet Festivali i 34-të Shqiptar, këtë vit në qendër të vëmendjes Gjuha Shqipe
Komuniteti shqiptaro-amerikan do të festojë më 1 nëntor gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare në edicionin e 34-t vjetor të Festivalit Shqiptar në New York. Këtë vit, festivali i kushtohet Gjuhës Shqipe, si një prej elementeve më të rëndësishme të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe lidhjes së brezave të rinj të diasporës me rrënjët e tyre.
Festivali i 34-të Shqiptar do të mbahet më 1 nëntor 2026 në Qendrën e Arteve Performuese në SUNY Purchase, në New York, duke bashkuar shqiptarë të të gjitha moshave për një mbrëmje të veçantë kushtuar gjuhës, muzikës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Një rëndësi të veçantë në programin e këtij viti ka pjesëmarrja e Ansamblit Ballkanik Shqiptar të Universitetit Shtetëror Montclair ( Montclair State University ), i cili do të prezantohet nga ora 18:00 deri në 19:00.
Pjesëmarrja e këtij ansambli universitar i jep festivalit një dimension të veçantë kulturor dhe akademik, duke krijuar një urë lidhëse ndërmjet komunitetit shqiptaro-amerikan, institucioneve arsimore dhe brezave të rinj që vazhdojnë të ruajnë lidhjet me kulturën shqiptare.
Gjuha Shqipe, në qendër të festimit
Motoja dhe tema kryesore e edicionit të sivjetmë është kushtimi i Festivalit të 34-të Shqiptar Gjuhës Shqipe, transmeton Telegrafi.
Për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ruajtja e gjuhës amtare mbetet një nga sfidat dhe përgjegjësitë më të rëndësishme në përcjelljen e identitetit kombëtar te brezat e rinj.
Në një shoqëri ku anglishtja është gjuha dominuese e shkollimit dhe komunikimit të përditshëm, aktivitete të tilla marrin një rëndësi të veçantë, pasi u japin fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë mundësinë të afrohen me gjuhën e prindërve dhe gjyshërve, si dhe të njohin më mirë historinë, traditat dhe kulturën e tyre.
Përmes muzikës, këngëve, valleve dhe paraqitjeve artistike, festivali synon të përcjellë mesazhin se gjuha shqipe nuk është vetëm një trashëgimi e së kaluarës, por një pasuri që duhet ruajtur, folur dhe përcjellë te brezat që rriten larg atdheut.
Një traditë 34-vjeçare e shqiptarëve në Amerikë
Festivali organizohet nga Qendra Nënë Tereza e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës dhe ndër vite është shndërruar në një traditë të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan në zonën e New Yorkut.
Përtej programit artistik, ky aktivitet shërben si një pikëtakim për familjet shqiptare, artistët dhe të rinjtë, duke krijuar mundësi për të ruajtur lidhjet kulturore dhe për të përcjellë krenarinë e përkatësisë shqiptare te brezat e ardhshëm.
Festivali do të mbahet në Performing Arts Center, SUNY Purchase, në adresën 735 Anderson Hill Road, Purchase, NY 10577. /Telegrafi/
