Në Maqedoni për herë të parë bëhet transplantimi i veshkës nga nëna te fëmija i saj me sindromën Alport
Në Maqedoni, për herë të parë është kryer transplantimi i veshkës nga nëna te fëmija i saj me sindromën Alport, një sëmundje e rrallë gjenetike e trashëguar, e cila dëmton indin e veshkave dhe mund të çojë në pamjaftueshmëri renale.
Siç njoftojnë nga MSH, pas kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme mjekësore, është konstatuar përputhshmëria ndërmjet dhurueses dhe pranuesit të organit, ndërsa nëna është vlerësuar si dhuruese e gjallë e përshtatshme.
"Ky është një shembull i asaj që përfaqëson më të mirën në sistemin tonë shëndetësor – profesionalizmi, puna ekipore dhe humanizmi. Çdo transplantim i veshkës nënkupton një mundësi të re për jetë”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Para disa ditësh, ministri Klekovski vizitoi pacientët të cilëve u ishte kryer transplantimi i veshkës në Klinikën Universitare të Urologjisë. Te dy pacientë ishte kryer transplantimi i veshkës nga dhurues të ndjerë, ndërsa te pacienti i tretë ishte kryer transplantimi nga një dhurues i gjallë.
Me këto tri transplantime, numri i përgjithshëm i transplantimeve të veshkave të kryera këtë vit në Klinikën Universitare të Urologjisë ka arritur në 15, krahasuar me 11 transplantime gjatë gjithë vitit 2025.
Sindroma Alport është një sëmundje e rrallë e trashëguar, e cila prek indin e veshkave dhe, në rastet më të rënda, mund të çojë në pamjaftueshmëri renale dhe nevojën për dializë. Ky rast dëshmon se, me diagnostikim të përshtatshëm, vlerësim të hollësishëm mjekësor dhe përgatitje të kujdesshme, transplantimi mund të jetë një mundësi edhe për pacientët me sëmundje të rralla gjenetike.
"Shprehim mirënjohjen tonë ndaj familjes për besimin dhe pëlqimin që ky rast të bëhet publik, si dhe ndaj të gjithë ekipit mjekësor, i cili është i angazhuar pa ndërprerje në këtë procedurë komplekse mjekësore“, deklaroi Biljana Kuzmanovska, koordinatore kombëtare për transplantim.
