Ndryshimi i Ligjit për Specialen, Bahtiri përkrah Qeverinë
Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri, ka përkrahur vendimin e Qeverisë për nismën legjislative për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Bahtiri ka thënë se kjo nismë synon, sipas tij, përmirësimin e “gabimeve të së kaluarës” dhe mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin përçarjet dhe të jenë të bashkuar.
Postimi i plotë:
E përkrah fuqimisht miratimin e vendimit nga Qeveria Kurti për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”
Kryeministri Kurti po bën gjithçka që është në dorën e tij për t’u dalë zot ish-krerëve të UÇK-së dhe për të përmirësuar gabimet e rënda që u bënë në të kaluarën, nga të tjerët, të cilëve ai me ngulm u kërkonte që të mos e bëjnë atë gabim fatal. Kur të tjerët nxitonin e nënshkruanin pa menduar për pasojat kombëtare, u krijua një padrejtësi që sot rëndon.
Poashtu ju bëj thirrje qytetarëve që të mos krijohen përçarje të panevojshme, sepse vetëm të bashkuar mund ta mbrojmë të vërtetën e vendit tonë. Përçarja jonë është fitorja e armikut. Mos t’ia japim këtë kënaqësi. Të bëhemi një grusht i fortë që nuk mund ta thyej dot askush!
