Gërvalla për tre veprimtarët e zhdukur: Kjo Republikë do ta çojë deri në fund detyrimin
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas kthimit te familjet të mbetjeve mortore të Adem Beqirit, Idriz Rrecajt dhe Salih Mëziut, të cilët ishin rrëmbyer e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Gërvalla i ka cilësuar ata veprimtarë dhe atdhetarë që ia kushtuan jetën lirisë së Kosovës, duke theksuar se shteti do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën për të zhdukurit dhe përgjegjësinë për krimet e luftës
Postimi i plotë:
Ademi, Idrizi dhe Salihu, tre veprimtarë, intelektualë e atdhetarë që jetën dhe veprën e tyre ia kushtuan kombit dhe lirisë së Kosovës, pas më shumë se dy dekadash po iu kthehen familjeve dhe të dashurve të tyre. Këta heronj nuk janë vetëm emra në historinë e kësaj Republike. Janë pjesë e brezit që dha gjithçka për lirinë e këtij vendi.
Ata ishin pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të Mitrovicës, në mesin e 23 burrave të rrëmbyer e të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Rrëmbimi, vrasja dhe zhdukja e tyre me dhunë nuk mund të ndahet nga fushata e dhunës së regjimit gjenocidal të Millosheviqit kundër civilëve shqiptarë në Kosovë. Sepse në shënjestër nuk ishin vetëm jetë njerëzish. Ishte një brez intelektualësh, veprimtarësh e atdhetarësh që përfaqësonte mendimin, dijen, organizimin dhe qëndresën shqiptare. Ishte një goditje mu në zemër të shoqërisë e të qëndresës në Kosovë.
Me nderim të thellë për jetën, veprën dhe sakrificën e tyre, përsërisim përgjegjësinë tonë jo vetëm për t’i nderuar përjetësisht të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, por edhe për të ndërtuar Kosovën e ëndrrave të tyre dhe për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë kriminelet që kryen krime në vendin tonë.
Çdo ditë e gjithmonë do të kërkojmë të vërtetën për secilin të zhdukur dhe përgjegjësinë për secilin krim ndaj viktimave të luftës. Sepse për ne, kjo është edhe detyrë edhe detyrim. Detyrë e detyrim shtetëror e kombëtar. Dhe këtë detyrim, kjo Republikë do ta çojë deri në fund. Vetëm kështu drejtësia merr kuptimin e saj të plotë.
Lavdi përjetë jetës dhe veprës së Adem Beqirit, Idriz Rrecajt e Salih Mëziut.
