Çollaku: Në TVSH u lexua se Rugova ishte “dënuar me vdekje” dhe UÇK-ja do ta ekzekutonte vendimin
Ish-diplomati dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Sami Çollaku, ka hedhur pretendime të forta lidhur me rolin e Shqipërisë zyrtare gjatë luftës në Kosovë dhe raportet mes strukturave të atëhershme politike e ushtarake.
Në një deklaratë për televizionin NTV, Çollaku ka thënë se në kohën e luftës, në televizionin shtetëror shqiptar, TVSH, ishte lexuar një deklaratë ku Ibrahim Rugova cilësohej si “tradhtar” dhe, sipas tij, shpallej se do të dënohej me vdekje.
“Ti ke në televizionin shtetëror shqiptar, TVSH, organ shtetëror, media shtetërore, ke në ato kohë deklaratë ku cilësohet tradhtar Ibrahim Rugova dhe shpallet dënimi me vdekje”, ka deklaruar Çollaku.
Sipas tij, në deklaratën e transmetuar thuhej se “populli i Kosovës e ka dënuar me vdekje” Rugovën dhe se, në emër të UÇK-së, do të ekzekutohej ky dënim.
Çollaku ka pretenduar se kjo situatë dëshmon, sipas tij, për përfshirjen e strukturave zyrtare të Shqipërisë së asaj kohe në zhvillimet politike në Kosovë.
“Pra, si nuk ka dorë Tirana zyrtare e kohës në këtë luftë për të kapur pushtetin në Kosovë?”, ka pyetur ai.
Duke folur për sigurinë e Rugovës, Çollaku ka thënë se ish-presidenti i Kosovës nuk do të mund të udhëtonte në Rinas pa garanci për jetën e tij.
“Ibrahim Rugova nuk zbriste në Rinas, nuk i sigurohej jeta, nuk kishte siguri për jetën në Shqipëri”, ka deklaruar ai.
Më tej, Çollaku ka paraqitur edhe teorinë e tij lidhur me atë që e quan “luftë speciale” kundër LDK-së në Kosovë.
“Teoria ime është që lufta speciale kundër LDK-së në Kosovë, këta katër, apo të tjerë apo të tjera, për këto grupet e UÇK-së të lidhura me Tiranën, janë përdorur si armë. Por mendja politike ka qenë në Tiranë”, ka thënë ai.
Çollaku e ka lidhur këtë pretendim edhe me LPK-në dhe me trashëgiminë politike të periudhës së Enver Hoxhës në Shqipëri.
Sipas tij, mënyra e organizimit politik dhe qasja ndaj rivalëve politikë në atë periudhë kanë ndikuar në formimin e disa strukturave politike e ushtarake.
“Periudha e Enver Hoxhës në Shqipëri, si guri i shtetit, dhe mendësia me të cilën Partia Komuniste dhe Enver Hoxha trajtonin luftën çlirimtare kundër agresuesit, por edhe mendimi për pushtetin e nesërm, duke eliminuar rivalët politikë, ka qenë e njëjta metodologji”, është shprehur Çollaku.
Ai ka përfunduar duke thënë se, sipas këndvështrimit të tij, disa prej kuadrove të përfshirë në këto zhvillime kanë qenë “viktima të kësaj fryme politike”.
