NATO ngre alarmin në Kosovë, ekspertët paralajmërojnë rritje të kërcënimeve hibride!
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Zëvendësndihmës sekretari i përgjithshëm për partneritet i NATO-s, Kevin Hamilton, ka ngritur shqetësime lidhur me fushatat e dezinformimit dhe aktivitetet hibride që, po zhvillohen nga aktorë të huaj, përfshirë Rusinë.
“Fatkeqësisht ne gjithnjë shohim aktorë të huaj dhe këtu do ta përmend Rusinë, që përfshihet në fushata të dezinformimit. Këto fushata hibride janë këtu jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe gjithandej në botë. Kjo është pjesë e manualit rus të nxisë pakënaqësi dhe përçarje edhe këtu në Ballkanin Perëndimor, prandaj është me rëndësi që njerëzit në Kosovë, por edhe në rajon, të jenë vigjilentë”, ka deklaruar Hamilton.
Ai ka shtuar se NATO është e vetëdijshme për aspiratën e Kosovës për anëtarësim, por vendimet në Aleancë merren me konsensus dhe aktualisht nuk është koha për pranimin e anëtarëve të rinj.
Ndërsa, ekspertët e sigurisë kanë vlerësuar se paralajmërimi i NATO-s për luftën hibride në Ballkan nuk duhet parë si deklaratë rutinore diplomatike, por si sinjal serioz strategjik për rajonin.
Sipas tyre, lufta hibride përfshin dezinformim, propagandë, sulme kibernetike dhe manipulim të opinionit publik, me qëllim dobësimin e institucioneve dhe krijimin e pasigurisë. Kosova, sipas vlerësimeve të tyre, mbetet veçanërisht e ekspozuar për shkak të orientimit pro-perëndimor dhe zhvillimeve të ndjeshme të sigurisë në rajon.
Për më tepër, ata vlerësojnë se paralajmërimi i NATO-s është thirrje për rritje të gatishmërisë institucionale dhe mbrojtje më të fortë ndaj kërcënimeve hibride në rajon.
Racaj: Paralajmërimi i NATO-s lidhet me rritjen e luftës hibride ruse në rajon
Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se deklarata e zëvendësndihmës-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, nuk duhet trajtuar si një mesazh rutinë diplomatik, por si një paralajmërim serioz strategjik për Kosovën dhe rajonin.
“Deklarata e zëvendësndihmës-sekretarit të përgjithshëm të NATO, Kevin Hamilton, nuk duhet parë vetëm si një deklaratë diplomatike rutinore, por si një paralajmërim serioz strategjik për institucionet e sigurisë në Kosovo dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky mesazh vjen në një kohë kur arkitektura globale e sigurisë po përballet me transformime të mëdha gjeopolitike dhe kur format moderne të konfliktit po zhvendosen nga fushëbetejat klasike në hapësirën informative, kibernetike dhe psikologjike.
Sot, luftërat nuk zhvillohen vetëm me tanke, raketa dhe armatime konvencionale. Shekulli XXI ka sjellë një dimension të ri të konfliktit – luftën hibride. Në këtë formë të përballjes strategjike përdoren dezinformimi, propaganda, manipulimi mediatik, sulmet kibernetike, instrumentalizimi i tensioneve politike dhe etnike, si dhe ndikimi përmes rrjeteve sociale dhe aktorëve të ndryshëm politikë apo ekonomikë. Qëllimi nuk është domosdoshmërisht pushtimi territorial, por dobësimi i stabilitetit institucional, krijimi i pasigurisë dhe cenimi i besimit të qytetarëve ndaj shtetit dhe aleatëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai .
Tutje, Racaj ka potencuar se paralajmërimi i NATO-s lidhet me rritjen e aktiviteteve hibride të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, ku përdoren dezinformata dhe propaganda për të nxitur tensione dhe për të ngadalësuar proceset euroatlantike.
“Në këtë kontekst, paralajmërimi i NATO-s lidhet drejtpërdrejt me rritjen e aktiviteteve hibride të Rusis në rajon. Ballkani Perëndimor historikisht ka qenë hapësirë e interesave gjeopolitike dhe rivaliteteve ndërkombëtare, ndërsa sot vazhdon të mbetet zonë ku aktorë të jashtëm tentojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre politik dhe strategjik. Përmes dezinformatave, narrativave propagandistike dhe mbështetjes së elementeve destabilizuese, synohet krijimi i tensioneve dhe pengimi i proceseve euroatlantike në rajon.
Kosova mbetet veçanërisht e ekspozuar ndaj këtyre sfidave për shkak të pozitës së saj gjeostrategjike dhe orientimit të qartë pro-perëndimor. Partneriteti i ngushtë me SHBA-të,dhe NATO-n e bën Kosovën objektiv të vazhdueshëm të propagandës dhe fushatave destabilizuese që synojnë dobësimin e stabilitetit të brendshëm dhe krijimin e krizave politike e sociale. Kjo është veçanërisht e dukshme në momentet e tensioneve në veri të vendit, ku shpesh shfaqen operacione të koordinuara informative dhe propagandistike me qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë”, ka vlerësuar ai.
Gjithashtu, Racaj ka cekur nevojën për reagim institucional të përforcuar dhe vetëdijesim shoqëror, duke e zhvendosur debatin nga niveli teorik në atë praktik të sigurisë:
“Prandaj, deklarata e NATO-s duhet të kuptohet si thirrje për vigjilencë të shtuar institucionale dhe shoqërore. Institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të forcojnë kapacitetet e inteligjencës, sigurisë kibernetike dhe komunikimit strategjik, ndërsa bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë duhet të intensifikohet edhe më shumë. Po aq e rëndësishme është edhe edukimi i qytetarëve për të identifikuar dezinformimin dhe propagandën, sepse lufta hibride synon pikërisht manipulimin e perceptimit publik dhe krijimin e përçarjeve të brendshme.
Në rrethanat aktuale ndërkombëtare, ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor mbetet interes strategjik jo vetëm për NATO-n, por për gjithë botën demokratike. Çdo destabilizim në rajon mund të përdoret nga aktorë të jashtëm për zgjerim të ndikimit të tyre politik dhe gjeopolitik. Pikërisht për këtë arsye, paralajmërimi i NATO-s duhet të merret me seriozitet maksimal dhe të shërbejë si moment reflektimi për forcimin e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë shtetërore të Kosovës”, ka theksuar Racaj.
Dashevci: Paralajmërimet e NATO-s sinjal serioz për luftën hibride në rajon
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci është shprehur se paralajmërimet e NATO-s duhet të merren seriozisht, duke i lidhur ato me zhvillimet më të gjera gjeopolitike në rajon.
“Po Zëvendësndihmës-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Kevin Hamilton, në Prishtinë paralajmëroi për dezinformim dhe aktivitete hibride të Rusisë, duke kërkuar vigjilencë në Kosovë dhe rajon gjithashtu.
Lufta e egër hibride e Rusisë vazhdon edhe më tej me propagandë, dezinformata, sabotazhe të llojeve të ndryshme si në Evropë ashtu edhe te ne në rajonin e Ballkanit me qasjen destruktive edhe të Serbisë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Dashevci për “Bota sot” ka theksuar se situata kërkon gatishmëri të vazhdueshme dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.
“Normalisht se nevojitet vigjilencë 24/7 duke pasur parasysh këtë qasje destruktive që nuk është ndalur kurrë.
Mendoj që Kosova duhet të jetë në bashkëpunim me aleatët, SHBA-të, BE-në dhe partnerët strategjikë në kundërvënie të kësaj lufte të egër hibride, duke u përgjigjur me të vërtetën”, është shprehur ai.
Në fund, Dashevci ka vlerësuar se paralajmërimet e NATO-s nuk duhen parë si deklarata rutinore, por si sinjale serioze për gjendjen e sigurisë në rajon, veçanërisht në periudha zgjedhore.
“Paralajmërimi i NATO-s për dezinformim dhe aktivitete hibride nga Rusia dhe Serbia në Ballkan ka qenë dhe është sinjal se siguria në Kosovë po ndikohet gjithnjë e më shumë nga lufta gjeopolitike në rajon, andaj edhe duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë, mendoj unë, posaçërisht tash në kohë zgjedhjesh, kur dihet qasja dhe veprimet e Serbisë kundrejt vendit tonë”, ka përfunduar Dashevci për “Bota sot”.
