TË FUNDIT

Nagavci: Refuzimi i Sejdiut për president nuk është vendim i duhur dhe në interes të qytetarëve

Para takimit të Grupit Parlamentar të VV-së, deputetja Arbërie Nagavci ka komentuar kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, duke thënë se refuzimi i një propozimi që synon shmangien e zgjedhjeve të reja dhe konsolidimin e institucioneve nuk është vendim i duhur dhe nuk është në interes të qytetarëve.

“Nuk kam arritur t’i përcjell, sepse kam pasur angazhime. Gjithsesi, konsideroj që t’i thuhet jo një propozimi të përbashkët, i cili ka për qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja dhe konsolidimin e institucioneve, nuk është një vendim i duhur dhe në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Nagavci.

E pyetur nëse do të ketë përpjekje për të siguruar mbështetje nga partitë e tjera, përfshirë AAK-në, Nagavci tha:

“Ju i dini qëndrimet edhe të Aleancës, edhe të PDK-së. Gjithsesi, pres dhe besoj që secili deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jetë në nivel të përgjegjësive që ia kanë besuar qytetarët dhe të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij apo saj që, përfundimisht, të dilet nga ky ngërç politik, të konstituohen institucionet dhe të vazhdojmë punën në të gjitha nivelet, domethënë edhe në Kuvend dhe në Qeveri, edhe në Presidencë, me mandate të plota, me kandidatët që kanë marrë besimin e qytetarëve.”

Nagavci tha se mos thirrja e seancës gjatë këtyre ditëve ka pasur për qëllim t’u jepet hapësirë diskutimeve dhe gjetjes së një zgjidhjeje për presidentin.

“Ju e dini që mos thirrja e seancës gjatë këtyre ditëve ka qenë në tentimin tonë për t’u dhënë rrugë diskutimeve dhe gjetjes së zgjidhjes së presidentit, sepse thirrja e seancës pa një marrëveshje paraprake, faktikisht, çon deri te zgjedhje të reja, gjë që ne kemi synuar me çdo kusht ta shmangim”, deklaoi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *