TË FUNDIT

Myftinia e Tetovës reagon për ngjarjen në Llacë: Bën thirrje për qetësi dhe unitet

Bashkësia Fetare Islame – Myftinia e Tetovës ka reaguar lidhur me ngjarjen e fundit të ndodhur në fshatin Llacë të Tetovës, duke u bërë thirrje banorëve për qetësi, maturi dhe shmangie të tensioneve.

Në deklaratë, Myftinia i shpreh ngushëllime familjes Ismaili për humbjen e familjares së tyre, duke u lutur për mëshirën e Zotit ndaj të ndjerës dhe duke i uruar familjes durim në përballimin e humbjes.

Myftinia thotë se, pas konsultimeve me përgjegjësit e xhamisë, ka konstatuar se Kryesia e Xhamisë dhe imami kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme fetare dhe organizative për përgatitjen dhe përcjelljen e të ndjerës për në varrim.
Sipas deklaratës, pas përfundimit të procedurave dhe faljes së namazit të xhenazes, një familjar ka kërkuar që imami të mos vazhdojë të jetë i pranishëm në ceremoninë e varrimit.

Megjithatë, Myftinia vlerëson se kjo rrethanë nuk duhet të shndërrohet në burim tensionesh, përplasjesh apo keqinterpretimesh në opinionin publik.

Në reagim vlerësohet edhe angazhimi i imamit Bajram ef. Xhezairi dhe xhematit të fshatit Llacë, për kontributin e tyre ndër vite në organizimin dhe zhvillimin e jetës fetare në këtë vendbanim.
Myftinia thekson se ky kontribut është shtrirë edhe në ruajtjen e vlerave kombëtare, forcimin e solidaritetit mes banorëve, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e fshatit.
Në fund, BFI – Myftinia e Tetovës u bën apel banorëve të Llacës që të ruajnë qetësinë, unitetin dhe respektin e ndërsjellë, ndërsa çështjet e tilla, sipas tyre, duhet të trajtohen përmes dialogut dhe mirëkuptimit.
“Përgjegjësia jonë e përbashkët është të afrojmë njerëzit dhe jo t’i ndajmë ata, të kultivojmë mirëkuptimin dhe jo përplasjen”, thuhet në deklaratën e Myftinisë së Tetovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *