Arrestohen dy persona në Prizren: Konfiskohen barna pa banderola në vlerë rreth 10 mijë euro
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona si të dyshuar në Prizren për prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore.
Siç njoftojnë organet e rendit, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, Policia ka zhvilluar hetime nën dyshimin se në dy biznese farmaceutike në qytetin e Prizrenit po kryhen veprimtari të kundërligjshme.
Në asistim të Inspektoratit Shëndetësor/Farmaceutik, sot më 05.11.2026, Policia ka realizuar bastisje në dy barnatore.
Gjatë kontrolleve, Policia bën të ditur se janë gjetur depo të fshehta, ku barna pa banderola mbaheshin në kushte që nuk përmbushin standardet e ruajtjes së barnave.
Në dy lokacione, vlera e barnave të konfiskuara arrin shifrën e rreth 10 mijë eurove në treg. Konfiskimi i këtyre produkteve është realizuar nga Njësia Kundër Kontrabandës e Doganës së Kosovës.
Policia ka iniciuar rastin “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, ndërsa dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet janë duke vazhduar nën udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit.
