Lëvizje e fortë nga Uashingtoni: “Srbija act” a do të parandaloj spastrimin e heshtur të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc
Shkruan: Muharrem Salihu
E përshëndes projektligjin SRBIJA Act, të dy kongresmeneve Republikan dhe Demokrat
Joe Wilson dhe William Keating, i cili synon të rrisë presionin e Shteteve të Bashkuara ndaj disa vendeve për respektimin e sundimit të ligjit, demokracisë, lirisë së medias dhe të drejtave themelore.
Në veçanti, Serbia duhet të detyrohet të ndalojë praktikën e pasivizimit të adresave dhe të rikthejë adresat e qytetarëve shqiptarë që janë pasivizuar, duke garantuar të drejtën e tyre për dokumente, pronë, shërbime publike, votim dhe pjesëmarrje të barabartë në jetën shoqërore e politike.
Çështja nuk është thjesht administrative. Pasivizimi i adresave është denoncuar prej vitesh nga përfaqësues të shqiptarëve dhe është ngritur edhe në nivel evropian si një çështje që prek të drejtat e minoriteteve.
Një politikë amerikane që kërkon demokraci dhe sundim të ligjit në Serbi duhet të kërkojë të njëjtat standarde edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Të drejta të barabarta.
Adresa të rikthyera.
Përfaqësim dhe siguri për shqiptarët në Serbi.
Ky duhet të jetë një nga kërkesat që Kongresi amerikan t’ia bëjë të qartë Beogradit.
Kjo do të mbështeste edhe projektligjin e Kongresmenit Keith Self.
