“Mos shkoni pas tyre si kova e pusit”, Dosti kritikon protestat pas vendimit të Hagës
Analisti Adriatik Riza Dosti ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kritikuar protestat dhe reagimet e një pjese të opinionit publik në Kosovë dhe Shqipëri.
Në një shkrim të gjatë, Dosti ka bërë thirrje për ndarjen e luftës së UÇK-së nga përgjegjësia individuale penale e personave të gjykuar në Hagë.
“Bëni ndarjen mes tyre e mes përgjegjësisë individuale për të cilat foli sot Haga”, ka shkruar ai.
Dosti ka kritikuar ata që, sipas tij, po fajësojnë Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për vendimin e Gjykatës Speciale, duke rikujtuar kundërshtimin e Kurtit ndaj krijimit të kësaj gjykate.
Ai ka përmendur edhe shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“A e dini mor debila se për mbrojtjen e procesin gjyqësor të katërshes së Hagës qeveria e Kosovës në këto 6 vjet ka shpenzuar 40.3 milionë euro?”, ka shkruar Dosti.
Një pjesë të reagimit të tij ia ka kushtuar edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke e kritikuar për qëndrimet e tij pas vendimit të Hagës.
“Ku e gjen fytyrën dhe moralin antikosovari i tërbuar Rama të shkruajë sot në Facebook fjalën ‘Marre’ lidhur me vendimin e Hagës”, ka deklaruar ai.
Dosti ka përmendur gjithashtu Richard Grenellin, duke kritikuar deklaratat e tij publike për Gjykatën Speciale dhe duke ngritur pyetje se pse protestat nuk janë drejtuar edhe ndaj aktorëve politikë që kanë mbështetur ose kanë qenë të përfshirë në procesin e krijimit të saj.
Në reagimin e tij nuk kanë munguar as kritikat ndaj disa figurave publike dhe mediatike në Kosovë. Ai ka përmendur Milaim Zekën, Baton Haxhiun, Berat Buzhalën, Sami Lushtakun, Ramush Haradinajn, Time Kadrijajn dhe Ganimete Musliun, duke i akuzuar për qëndrime kontradiktore lidhur me Gjykatën Speciale dhe zhvillimet e fundit.
Në fund, Dosti u ka bërë thirrje qytetarëve që, sipas tij, të mos destabilizojnë Kosovën dhe të mos ndjekin verbërisht deklaratat e figurave politike apo publike.
“Mos shkoni si kova e pusit pas kelyshit të shkjaut Berat Buzhala e mos merrni mend idiote të Sami Lushtakut e Ramushit”, ka shkruar ai.
Dosti e ka përmbyllur reagimin me një shprehje popullore shqiptare: “Ç’të mbjellësh – do korrësh”, duke e lidhur atë me zhvillimet dhe përgjegjësitë individuale të personave të dënuar nga Gjykata Speciale.
